Biznesmeni i stripclubeve “Shqiponja” kapet nga policia shqiptare – Kosova po e kërkon për trafikim

Biznesmeni i stripclubeve “Shqiponja” kapet nga policia shqiptare – Kosova po e kërkon për trafikim

Dodë Rica pronari i rrjetit të lokaleve të striptizës “Club Shqiponja” u arrestua nga policia në Durrës, pasi siç thuhet zyrtarisht, drejtësia në Kosovë e akuzon për trafikim të personave. Rica, 47-vjeçar i lindur në Mirditë dhe me banim në Tiranë, u vu në pranga nga policia shqiptare, pasi Gjykata e Prishtinës i ka caktuar masë “arrest me burg” në mungesë.

Nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore të shkëmbyera mes Interpol Tiranës dhe agjencive në Kosovë, forcat e posaçme operacionale të Durrësit e lokalizuan të shpallurin në kërkim ndërkombëtar, në lagjen numër 13 të qytetit bregdetar.
“Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, si dhe si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera ndërmjet Interpol Tiranës dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, Forca e Posaçme Operacionale dhe Seksioni kundër Trafiqeve, Durrës, kapën në lagjen nr.13 dhe vunë në pranga, me qëllim ekstradimin në Kosovë, shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar Dodë Ric, 47 vjeç, i lindur në Mirditë”, njoftoi Policia e Durrësit më 22 gusht. 

Pronar i lokaleve të natës Club Shqiponja” në Tiranë dhe disa qytete të Shqipërisë prej vitit 2013, i cili ka hapur biznes edhe në Prishtinë në vitin 2022 me emrin tregtar “Cyborg Strip Club”, pritet të ekstradohet drejt Kosovës. Pas arrestimit, pritet të mbahet seancë në Gjykatën e  Durrësit, qytet ku Dodë Rica u vu në pranga, për të marrë vendim nëse do t’i dorëzohet drejtësisë në Kosovë.

Kush është biznesmeni i stripclubeve “Shqiponja”, Dodë Rica

Dodë Rica nuk është emër i panjohur për organet e rendit në Kosovë. Ai ka një histori të gjatë për veprimtarinë e tij që bie ndesh me ligjin.

Gazeta Insajderi kishte raportuar se Dodë Rica që nga viti 2019 ka qenë duke u hetuar Prokuroria Speciale, për kryerjen e veprën penale “shmangie nga tatimi”. Vetëm në vitin 2021 ndaj tij u ngritë aktakuzë.

 

Ai dyshohet se kreu shmangie tatimore në vlerë prej 36 mijë e 389 euro.

Biznesi i tij figuron edhe në të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve që vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Emri i Ricës, përmendet edhe në vitin 2018 teksa tentonte të hapte një strip klub poshtë bodrumit të Hotelit Grand në Prishtinë.

Megjithatë pas publikimit nëpër media për këtë aktivitet, Agjencia Kosovare e Privatizimit ia prishi planet.

 

Shpërndaje në: