Xhavit Haliti: E rëndësishme të dihet nëse Kurti u ftua si kryetar partie apo si kryeministër
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka marrë pjesë në Konventën e Partisë Demokratike me rastin e zyrtarizimit të Kamala Harris si kandidate për presidente për zgjedhjet e nëntorit të këtij viti.
Ngjarja, që është pjesë e Forumit Ndërkombëtar të Liderëve 2024, u organizua nga National Democratic Institute (NDI), një organizatë që mbështet zhvillimin e demokracisë në nivel global.
Në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit, theksohet se pjesëmarrja e Kurtit në këtë panel u cilësua si një mundësi për të diskutuar rolin e partive politike në proceset demokratike ndërkombëtare.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kurti e ka quajtur Donald Trumpin, kandidat i Partisë Republikane për president të ShBA-së, si një kandidat të pazakonshëm.
Deputeti opozitar Xhavit Haliti, i cili njëherit është edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, ka komentuar pjesëmarrjen e Kryeministrit Albin Kurti në Konventën Kombëtare Demokratike në SHBA, duke e cilësuar si një veprim që mund të ketë rëndësi, por që ka nevojë për më shumë informacion për të vlerësuar ndikimin e tij.
Haliti për Front Online është shprehur se është e rëndësishme të dihet nëse Kurti ishte ftuar si kryetar partie apo si kryeministër. “Nëse ftesa ishte bërë në cilësinë e tij si kryetar partie, Haliti tha se është e rëndësishme të dihet se kush i ka mbuluar kostot e pjesëmarrjes. Nëse ftesa ishte si kryeministër, atëherë, sipas tij, kjo është një arritje e mirë për të, duke theksuar se një ftesë në një ngjarje të tillë është një njohje e rëndësishme”, ka theksuar Haliti.
Sa i përket ndikimit të mundshëm të pjesëmarrjes së Kurtit në politikën amerikane, Haliti theksoi se kjo nuk do të ketë efekt të drejtpërdrejtë, pavarësisht nga fituesi i zgjedhjeve presidenciale. Sipas tij, politika amerikane funksionon në përputhje me interesat dhe objektivat strategjike të SHBA-së dhe nuk ndikohet nga pjesëmarrja e liderëve të huaj në ngjarje partiake. Haliti përfundoi se është e rëndësishme që Kosova të fokusohet në ndërtimin e marrëdhënieve strategjike dhe të mos e mbështesë veten në ndihmën e ndonjë partie apo individi të caktuar në SHBA. “Ata nuk bëjnë politike të mëhallës, por bëjnë politikë strategjike, kanë interesat e tyre dhe kane objektivat e tyre, ata nuk funksionojnë sipas lagjeve “, tha Haliti