Vizita e shefit të CIA-s në Bosnje dhe Serbi, “përgjigje ndaj Kremlinit dhe aspiratave secesioniste”

Vizita e shefit të CIA-s në Bosnje dhe Serbi, “përgjigje ndaj Kremlinit dhe aspiratave secesioniste”

Analistë, zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë në Bosnje e Hercegovinë e shohin vizitën e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së (CIA) në këtë vend dhe në Serbi si përgjigje ndaj sfidave që paraqet ndikimi i Kremlinit në rajon, si dhe ndaj aspiratave secesioniste të politikanëve prorusë në Republikën Sërpska.

“Jam i bindur se ky është një problem serioz, sepse drejtori i CIA-s rrallëherë shkon në misione të tilla dhe i shpall ato publikisht. Supozoj se një nga arsyet është rritja e ndikimit malinj të Serbisë dhe Rusisë në Ballkan”, vlerëson për Radion Evropa e Lirë Sërgja Pavlloviq, historian dhe bashkëpunëtor i Institutit Wirth të Universitetit të Albertës në Kanada.

Një zyrtar i Qeverisë amerikane, i cili kërkoi të mos emërohet, i tha Radios Evropa e Lirë se diskutimet e William Burnsit dhe bashkëpunëtorëve të tij me kreun e Agjencisë së Sigurisë së Inteligjencës, Presidencën dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnje e Hercegovinës më 20 gusht u përqendruan, mes tjerash, te përshkallëzimi i tensioneve nga presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik.

Në anën tjetër, Serbia i reziston presionit nga Perëndimi për t’i vendosur sanksione Rusisë, për shkak të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.

Beogradi refuzon edhe ekstradimin e të dyshuarve për organizimin e sulmit në Banjskë të Kosovës, shtatorin e kaluar, ndërkohë që bisedimet e tij për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën kanë ngecur.

Dodik mbështet hapur presidentin rus, Vladimir Putin, me të cilin është takuar disa herë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.

Bosnje e Hercegovina “u është bashkuar” sanksioneve të Perëndimit, por nuk i ka zbatuar ato, për shkak të kundërshtimit të përfaqësuesve politikë nga Republika Sërpska në Këshillin Shtetëror të Ministrave të Bosnjës, të kryesuar nga Aleanca e Social- Demokratëve të Pavarur (SNSD) e Dodikut.

Dodik dhe udhëheqës të tjerë të Republikës Sërpska janë sanksionuar nga SHBA-ja, për shkak të shkeljes së Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe për shkak të korrupsionit.

Nën sanksione janë edhe kompanitë që janë në pronësi të familjes së Dodikut, ose të lidhura me të.

Çfarë mesazhi dërgon vizita e shefit të CIA-s?

Margarita Assenova, bashkëpunëtore e lartë në Fondacionin Jamestown në Uashington, thotë për Radion Evropa e Lirë se Serbia “ka kohë që po shkakton probleme në Bosnje e Hercegovinë” dhe se një gjë e tillë është bërë “më e dukshme dhe më e rrezikshme”.

“Vizita e Burnsit është një mesazh shumë i mirë për Serbinë se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i tolerojnë veprimet e saj”, thotë Assenova.

Sipas saj, nga problemet në Ballkan do të përfitonte Kremlini, sepse ato do t’i shpërqendronin Shtetet e Bashkuara dhe Evropën nga lufta ruse në Ukrainë.

Kadri Kastrati, ish-komandant i Forcave të Sigurisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se “Rusia po bën një luftë hibride në Ballkanin Perëndimor”.

“Rreziku më i madh i konfliktit është në Bosnje dhe Hercegovinë, përmes Republikës Sërpska, dhe në veri të Kosovës. Vizita e zyrtarëve të lartë në këtë rajon tregon se ata kanë informacione të mjaftueshme për përpjekjet ruse – përmes satelitit të saj, Serbisë – se kjo pjesë e Evropës është në rrezik të një konflikti të mundshëm… dhe është e sigurt që kanë ardhur këtu për t’i dhënë rekomandimet e tyre”, thotë Kastrati.

Lufta hibride është një model lufte ose konflikti me aktivitete që lidhen kryesisht me luftën informative dhe mediatike. Nëse ky lloj lufte nuk arrin efektin e dëshiruar, atëherë ndodh përdorimi i mundshëm i forcës së armatosur.

Nexhad Korajlliq, profesor në Fakultetin e Studimeve të Sigurisë në Universitetin e Sarajevës, thotë për Radion Evropa e Lirë se SHBA-ja po vëzhgon për të parandaluar përshkallëzimin e situatës në Bosnje e Hercegovinë, e “veçanërisht idetë që vijnë nga entiteti i Republikës Sërpska”.

“Për Bosnje e Hercegovinën nuk mund të ketë asgjë negative. Mund të ketë pasoja negative për individë të caktuar, veçanërisht ata që janë në listat e zeza”, thotë Korajlliq.

Ai kujton se sanksionet amerikane kanë pasur ndikim negativ në flukset financiare të Republikës Sërpska.

SHBA-ja ka sanksionuar kreun e entitetit të Republikës Sërpska, por edhe ish-kryeministrin e entitetit tjetër – Federatës së Bosnje e Hercegovinës – pastaj ish-kryeprokuroren e shtetit dhe ish-kreun e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, mes të tjerëve.

SHBA-ja ka sanksionuar edhe Aleksandar Vulinin, ish-udhëheqës i Agjencisë së Inteligjencës në Serbi, tani ministër në Qeverinë e Serbisë.

Çfarë mund të pritet në të ardhmen?

Armin Kërzhalliq, profesor në Fakultetin e Studimeve të Sigurisë të Universitetit të Sarajevës, beson se politika e SHBA-së që nga Dejtoni e deri më sot, do të vazhdojë edhe në të ardhmen, “në kontekstin e mbrojtjes së interesave amerikane”.

“Dhe, ai interes është ruajtja e shtetit sovran, integral të Bosnje e Hercegovinës, me të gjitha karakteristikat e tij. SHBA-ja do të zhvillojë mekanizma dhe mundësi për të gjithë ata që i kërcënojnë interesat e tyre në këtë fushë, veçanërisht në kontekstin e ruajtjes së integritetit të Bosnje e Hercegovinës”, thotë Kërzhalliq.

Rreth dhjetë ditë pas vizitës së ushtrueses së detyrës së ndihmëses së sekretarit të financave të SHBA-së, Anna Morris, në Sarajevë më 7 mars, bankat në Bosnje dhe Hercegovinë kanë filluar t’i mbyllin llogaritë e individëve dhe kompanive nga “lista e zezë”, në mënyrë që të mos bëheshin subjekt i sanksioneve.

Illija Cvitanoviq, përfaqësues shtetëror i Bashkimit Demokratik Kroat më 1990 dhe anëtar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se vizita e kreut të CIA-s në Bosnje dhe në Serbi tregon, gjithashtu, se “ata që janë përgjegjës për vlerësimin e situatës së sigurisë në mbarë botën, janë shumë të interesuar për Bosnje dhe Hercegovinën” dhe se “nuk do të heqin dorë prej saj”.

“Ata që i japin vetes të drejtë për të kaluar kufijtë, kur vjen puna për të sulmuar Kushtetutën, le të shqetësohen nga vizita, sepse – jam 100 për qind i sigurt – ajo përçon mesazhin e përkushtimit të Shteteve të Bashkuara ndaj Bosnje e Hercegovinës”, thotë Cvitanoviq për Radion Evropa e Lirë.

Shemsudin Mehmedoviq, ish-përfaqësues i Partisë opozitare të Veprimit Demokratik dhe sot lider i partisë Naprijed në Bosnje e Hercegovinë, thotë se “procesi politik i shpërbërjes që ka përfshirë Bosnje dhe Hercegovinën, ka të bëjë me ndikimin rus në Ballkan”.

“Kjo vizitë e drejtorit të CIA-s mund të shihet në këtë kontekst”, thotë ai.

Ai shton se “secesionizmi dhe politika shkatërruese e disa zyrtarëve në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilët janë satelitë të Beogradit politik, kanë lidhje me vizitën e zotit Burns në Sarajevë dhe në Beograd”.

“Pasojat e vizitës do t’i shohim në periudhën e ardhshme”, thotë Mehmedoviq.

Çfarë diskutohet në takime?

Ish-drejtori i CIA-s, John Brennan, vizitoi Sarajevën në vitin 2016.

Mlladen Ivaniq, në atë kohë anëtar i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës nga Republika Sërpska, thotë se nuk mendon se do të ndodhë ndonjë gjë praktike pas vizitës së shefit të CIA-s, William Burns, në Bosnje dhe në Serbi më 20 dhe 21 gusht.

“Përkundrazi, është një shenjë e dëshirës së tyre që ideja që kanë krijuar me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit të kompletohet dhe Bosnje e Hercegovina të mbetet relativisht e qëndrueshme”, thotë Ivaniq.

“Ata nuk e mbështesin separatizmin, por nuk e mbështesin as dëshirën për centralizim të tepruar të Bosnje e Hercegovinës, sepse e dinë shumë mirë se në kushtet në të cilat jetojmë, nuk është realiste dhe e mundur, për shkak të të drejtave kolektive të dy kombeve”, shton ai.

Sipas tij, kjo është diçka konstante dhe nuk do të ndryshojë, pa marrë parasysh se kush do të jetë president i SHBA-së.

Ivaniq, po ashtu, beson se vizita e shefit të CIA-s në Serbi “nuk ka të bëjë me Bosnje e Hercegovinën”, por “më shumë me marrëdhëniet e saj me Kosovën”.

Dragan Mektiq, i cili si ministër i dikurshëm i Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës është takuar me ish-kreun e CIA-s, Brennan, thotë se vizitat e tilla janë të dobishme për Bosnje e Hercegovinën.

Sipas tij, në takime të tilla analizohen marrëdhëniet ndërmjet vendeve dhe agjencive të inteligjencës, si dhe identifikohen prioritetet.

“Ndonjëherë diskutohen edhe çështje konkrete, kryesisht kur bëhet fjalë për luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe vendi i Bosnje e Hercegovinës në koalicionin global antiterrorist është shumë i rëndësishëm”, thotë Mektiq.

Një ditë pas vizitës së Burnsit në Bosnje, Dodik tha se “Republika Sërpska nuk e ka kundërshtuar kurrë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës” dhe se “shkëputja nuk ka qenë kurrë politikë e jona”.

Në mars të këtij viti, komuniteti i inteligjencës në SHBA e përmendi emrin e Dodikut në raportin vjetor për kërcënimet në mbarë botën.

Burns, ish-diplomat dhe ish-ambasador në Rusi, është një nga figurat qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, dhe është pjesë e kabinetit të tij.

Mesazhet nga Banja Lluka dhe Beogradi

Udhëheqja e Republikës Sërpska dërgon rregullisht mesazhe për shkëputje nga Bosnje e Hercegovina dhe për bashkim me Serbinë, ndërsa udhëheqja politike e Serbisë dërgon mesazhe në mbështetje të sovranitetit të Bosnje e Hercegovinës.

Dy udhëheqjet, në prani edhe të udhëheqësve të Kishës Ortodokse Serbe, kanë rënë dakord për “Deklaratën për Mbrojtjen e të Drejtave Kombëtare dhe Politike dhe të Ardhmen e Përbashkët të Popullit Serb” në Kuvendin Gjithëserb më 8 qershor dhe kuvendet e dy vendeve e kanë miratuar më pas atë në korrik.

Në disa vende, Deklarata insiston në respektimin e Marrëveshjes së Dejtonit dhe nuk flet për shkëputje.

Megjithatë, Qeveria e Republikës Sërpska ka formuar një grup pune për hartimin e një marrëveshjeje për “shkëputjen paqësore” të Republikës Sërpska nga pjesa tjetër e Bosnje e Hercegovinës.

Autoritetet në Republikën Sërpska kanë miratuar një sërë ligjesh me qëllim “kthimin e juridiksionit” nga shteti i Bosnjës në entitetin e Republikës Sërpska, por që janë anuluar nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës ose Përfaqësuesi i Lartë i Komunitetit Ndërkombëtar në këtë vend.

Në të njëjtën kohë, numri i anëtarëve të forcave ushtarake të BE-së në Bosnje (EUFOR) është rritur.

Shpërndaje në: