Ka marrë rrogë mbi 7 mijë euro në muaj, Gani Jakupi: Nuk u kanë detyrë e jemja me pru njohje
Gani Jakupi, i angazhuar si konsulent i jashtëm për Ambasadën e Kosovës në Bruksel, ka refuzuar të japë detaje për punën e tij, duke u mbështetur në klauzolat e kontratës që i ndalojnë të flasë për detyrat e tij.
Jakupi shpreson që puna e tij të vazhdojë edhe më tutje, përkundër që tashmë kontrata i ka skaduar.
Jakupi është paguar me 7,500 euro në muaj, dhe shuma totale e kontratës arrin në 90 mijë euro bruto.
Ai ka folur për pagën e tij të shumëpërfolur, megjithatë nuk ka ofruar asnjë sqarim për punën e kryer.
“Nuk u kanë pagë, ai ka qenë buxheti komplet, se unë jom kontraktu si freelancer krejt harxhimet e mia jon kan qatu jo veq rroga”, tha Jakupi per Paparacin.
Pavarësisht përgjegjësisë për lobim kryesisht në tri vendet e Beneluksit, Jakupi thotë se “nuk është detyrë e tij që t’i sjellë njohje Kosovës”.
“Nuk u kanë detyrë e jemja me pru njohje, s’jom diplomat as politikan unë kom ba punë t[ lobimit të ndryshimit mediatik të imazhit të Kosovës. Kryesisht kom pas punë me Belgjikë, Francë, Spanjë, qato jonë kanë aktivitetet e mia kryesore”, shtoi ai.
Angazhimi i Gani Jakupit si konsulent i jashtëm për Ambasadën e Kosovës në Bruksel i kontraktuar në qershor të vitit 2023 ka përfunduar në qershor të vitit 2024.
Pas përfundimit të kontratës një vjeçare, Jakupi shpreson që të vazhdojë të kryej shërbimet e njëjta për vendin.
“Unë shpresoj që puna jem nuk ka me përfundu qitu, është një pjesë e procesit që duhet me vazhdu edhe më tutje”, tha Gani Jakupi për Paparacin.
Informacione për detyrën e Gani Jakupit nuk kishte ofruar as ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Ajo në një deklarim kishte thënë se duhet të presin derisa të përfundojë projekti, dhe se “nuk e dëmton projektin për t’ju arsyetuar mediave”.
Kujtojmë se, për ta gjetur konsulentin, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishte hapur ofertë më 13 qershor 2023 dhe dy ditë më vonë, pra më 15 qershor 2023, Komisioni vendos të mblidhet për ta përfunduar procesin e vlerësimit.
Katër ditë më vonë, më 19 qershor 2023, Ministria e Jashtme e Donika Gërvallës, nëpërmjet një vendimi, ia delegon kompetencat për këtë proces, ambasadorit të Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.
Ky i fundit, nëpërmjet vendimit të MPJ-së, të datës 19 qershor 2023, merr kompetencën që i delegohet për super-këshilltarin dhe të nesërmen, më 20 qershor 2023, lidh kontratë me Gani Jakupin – që sipas saj, referohet si ‘Konsulent i Jashtëm për Çështje Kulturore dhe Mediatike’.
Republika e Kosovës, nuk e ka asnjë njohje që prej ardhjes në pushtet të Qeverisë Kurti dhe udhëheqjes së diplomacisë nga Donika Gërvalla. Izraeli është shteti i fundit që e ka njohur Kosovën më 4 shtator 2020.