Në seancë private vazhdon dëshminë ish-pjesëtari i UÇK-së në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në sesion privat për publikun po vazhdon dëshminë dëshmitari i 79-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) i cili mban kodin W03871 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Përpara se të filloi dëshminë ky dëshmitar, mbrojtja e Thaçit përmes avokatit Luka Mishetiq njoftoi se pyetjet e tyre i kanë mbaruar dje dhe pas një rishikimi që kanë bërë sot, nuk kanë pyetje të tjera.
Po ashtu, edhe mbrojtja e Veselit e përfaqësuar nga avokatja Annie O’Reilly thanë se nuk kanë pyetje për dëshmitarin, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa, që të përgatiten për kundërpyetjet e tyre kërkoi sesion privat mbrojtja e Krasniqit përmes Aidan Ellis. Kjo gjë u aprovua nga trupi gjykues dhe seanca kaloi në sesion privat për dëgjimin e dëshmisë së këtij dëshmitari.
Në fillim të seancës, seanca ishte private me arsyetimin për të diskutuar lidhur me një çështje.
Vlen të theksohet se dëshmia e këtij dëshmitari filloi dje si dhe sipas përmbledhjes së lexuar në sallën e gjyqit nga përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori James Pace ky dëshmitar është ish-pjesëtar i UÇK-së që do të flas për ndalimin e një personi i cili ishte akuzuar sipas tij si spiun.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.