Kurti mburret me blerjet e banesave nga diaspora, i quan investimet të huaja në Kosovë

Kurti mburret me blerjet e banesave nga diaspora, i quan investimet të huaja në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një raport të ri të ‘FDI Intelligence’ nga Financial Times që tregon se Kosova renditet e dyta në Evropë dhe e pesta në botë për zhvillim ekonomik.

Sipas këtij raporti, Kosova gjithashtu renditet e katërta në botë për përmirësim nga viti në vit për periudhën 2022-2023. Kurti e ka përdorur këtë raport për të theksuar përparësitë e Kosovës si një destinacion tërheqës për investitorët e huaj dhe për të nënvizuar progresin demokratik dhe ekonomik të vendit.

Megjithatë statistikat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) nuk flasin për rritje kaq të madhe të investimeve të huaja direkte në Kosovë e as orientimin e tyre në sektorin e prodhimit.

Sipas BQK-së, nga 214 milionë euro Investime të Huaja Direkte (IHD) për tre muajt e parë të këtij viti, 142 milionë euro kanë qenë të orientuara në sektorin e patundshmërive, apo rreth 66.1% të gjithsej IHD-ve.  Investimet në patundshmëri në Kosovë bëhen kryesisht nga diaspora.

Megjithatë, ky raport ka shkaktuar një valë kritikash dhe është vlerësuar  si i  pasaktë dhe  i paqenë.

Pal Lekaj: Nuk duhet marrë seriozisht  ky raport për zhvillimin ekonomik

Deputeti  nga AAK-ja Pal Lekaj ka kritikuar raportin e fundit të publikuar nga Kryeministri  Kurti, në një deklaratë për Front Online,  duke e konsideruar atë si një përpjekje për të maskuar realitetin ekonomik të vështirë të Kosovës.

 

Lekaj ka theksuar se raporti i ‘FDI Intelligence’ nga Financial Times, i cili rendit Kosovën të dytën në Evropë dhe të pestën në botë për zhvillim ekonomik, është i pasaktë dhe nuk reflekton situatën e vërtetë në vend. Sipas Lekajt, Kosova ka përjetuar stagnim të dukshëm gjatë katër viteve të fundit.

Ai ka vënë në dukje disa probleme kryesore: rritjen e ndjeshme të çmimeve, e cila ka rënduar ndjeshëm kushtet e jetesës për qytetarët; ikjen e fuqisë punëtore, që ka pasur ndikim negativ në produktivitetin dhe zhvillimin ekonomik; dhe mbylljen e shumë bizneseve të vogla dhe të mesme, që janë shtyrë  të mbyllen për shkak të kushteve të papërshtatshme ekonomike dhe mungesës së mbështetjes nga qeveria.

Lekaj ka akuzuar Qeverinë Kurti për mungesë transparence dhe për mos-publikimin e raporteve nga institucione të rëndësishme, të cilat do të ofronin një pasqyrë më të saktë të situatës ekonomike në vend. Ai ka kritikuar qeverinë për mos përkrahjen e ekonomive familjare dhe bujqësisë, si dhe për dështimin në ofrimin e mbështetjes për zhvillimin e sektorëve kyç ekonomikë.

Në këtë kontekst, Lekaj e ka cilësuar raportin si një përpjekje për të krijuar një imazh të rremë të progresit ekonomik, duke shpërfillur faktin që vendi po përballet me një sërë problemesh të thella ekonomike që nuk janë adresuar siç duhet nga qeveria. Ai ka theksuar se kjo përpjekje për të fshehur realitetin është një nga shenjat e qeverisjes së dobët dhe të pasuksesshme që Kosova ka përjetuar gjatë këtij mandati

“Kosova këto katër vite të Qeverisjes Kurti ka stagnim në zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Të vërtetat si Rritja e të gjitha çmimeve, ikja e fuqisë punëtore, mbyllja e shumë bizneseve, mos përkrahja e ekonomive familjare, mos përkrahja e bujqve, tregu jo i sigurt për prodhuesit vendorë, mungesa e investitorëve të huaj të cilët kanë mungesë të sigurisë dhe energjisë elektrike, kushtet e dobëta dhe mungesa e sigurimeve shëndetësore në tregu e punës dhe sektorin privat, mungesa e strategjive dhe politikave të duhura të kësaj Qeverie, bllokimi i mbi 700 milionë eurove në investime kapitale, prishja e raporteve me ndërkombëtarët dhe sanksionet evropiane në vlerë qindra milionëshe, janë dëshmia më e mirë që Kosova fatkeqësisht zhvillimin ekonomik e ka më keq se asnjëherë tjetër”, tha Lekaj.

Ferat Shala: Raporti është një pjesë e fushatës paraelektorale që Kurti e ka filluar

Deputeti Ferat Shala nga radhët e PDK-së në një prononcim për Front Online  ka akuzuar Kryeministrin Kurti për mungesë të shifrave konkrete dhe për emra të investitorëve që do të dëshmonin zhvillimin e vërtetë ekonomik. Sipas Shalës, raporti është një pjesë e fushatës paraelektorale dhe përpjekje për të krijuar një perceptim të rremë të suksesit, duke fshehur dështimet dhe mungesat reale në projektet e zhvillimit dhe investimeve kapitale. Ai ka theksuar se raportet dhe deklaratat e tilla janë të paqena dhe nuk reflektojnë situatën aktuale të ekonomisë kosovare.

“Unë e mendoj të kundërtën. Kosova jo që nuk ka pasur zhvillim ekonomik, por kryeministri nuk mund të na thotë asnjë shifër konkrete, kryeministri nuk mund të na thotë asnjë emër të investitorit, ai nuk mund të thotë asnjë pozicion apo linjë prodhuese që ka ardhur nga kjo fazë e zhvillimit, ai nuk mund të na thotë asnjë përfundim të projekteve që kanë qenë të filluara më herët as infrastrukturore as investime të tjera kapitale ,pra në parim kjo është pjesë e fushatës paraelektorale të cilën kryeministri tashmë e ka filluar duke lobuar ndoshta edhe në qarqe të tjera në mënyrë që të krijojë një atmosferë të tillë improvizuese po krejtësisht të pa qenë e të pavërtete “, u shpreh Shala.

 

Rukiqi: Investimet e Huaja në Kosovë janë patundshmëritë

Ndërsa Berat Rukiqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ditë më parë në një postim në “Facebook” ka shkruar se investimet e huaja në Kosovë janë: Patundshmëritë, riinvestimi i fitimit të bankave.

“Rrjedhimisht nuk ka asnjë projekt investiv që ka ndikuar në zhvillimin ekonomik e as në krijimin e vendeve të reja të punës.Gjuha për luftën dhe rreth luftës e Kryeministrit, në çdo medium global, ka nxitur dekurajim dhe frenim të investimeve te jashtme dhe të brendshme”, ka shkruar mes tjerash Rukiqi.

 

Haki Shatri: Deklaratat e Kurtit për luftë me Serbinë kanë trembur investitorët e huaj

Haki Shatri, ish ministër i Financave, ka shprehur dyshime të ngjashme për Front Online duke theksuar se raporti i Kurtit  nuk korrespondon me realitetin e investimeve të huaja në Kosovë. Ai ka theksuar se investimet e huaja kanë rënë për rreth 100 milionë euro dhe se deklaratat e qeverisë për mundësinë e një konflikti të mundshëm me Serbinë kanë kontribuar në frikësimin e investitorëve dhe tërheqjen e tyre nga Kosova. Shatri e ka konsideruar zhvillimin ekonomik nën qeverisjen e Kurtit si më të ulët se ndonjëherë tjetër dhe ka theksuar se Kosova ka pasur  një normë të ulët rritjeje prej vetëm 3.2% për vitin 2023.

“Investimet e huaja vitin e kaluar kanë rënë për rreth 100 milionë euro dhe puna e tërheqjes së investimeve të huaja është përkeqësuar pikërisht nga qëndrimi i kryeministrit dhe i ministrave të tjerë, i kreut të shtetit tonë duke deklaruar se do të  kemi luftë,  se Serbia po përgatitet të sulmojë Kosovën e deklarata të tjera të cila  kanë dekurajuar investitorët e huaj dhe janë tërhequr nga Kosova , bile ka raste edhe ata që kanë filluar të investojnë në Kosovë janë tërhequr kanë shkuar kah Maqedonia dhe vendet e tjera

Zhvillimi ekonomik në mandatin e kryeministrit Kurti  është me i ulëti në periudhën pas shpalljes së pavarësisë e këtej ku në 2023 ka qenë norma e shtimit vetëm 3.2%” , potencoi Shatri.

 

Shpërndaje në: