Telekomi mohon avancimin e burrit të këshilltares së Vjosa Osmanit: Thjesht po bartet stafi nga struktura e vjetër organizative në strukturën e re

Telekomi mohon avancimin e burrit të këshilltares së Vjosa Osmanit: Thjesht po bartet stafi nga struktura e vjetër organizative në strukturën e re

Ndërmarrja Publike “Telekomi i Kosovës”, ka reaguar pas raportimit të Periskopit, në lidhje me avancimin e burrit të këshilltares së Presidentes Vjosa Osmani, Donika Kadaj Bujupi, Naser Bujupi.

Burbuqe Hana e Telekomit avancon burrin e këshilltares së Vjosa Osmanit

Periskopi kishte dërguar pyetje në zyrën për media në Telekomin e Kosovës gjatë ditës së djeshme për këto avancime, teksa të njëjtit janë përgjigjur sot.

Në përgjigjen e tyre, thuhet se “Telekomi i Kosovës është në proces të vazhdueshëm të bartjes së stafit nga struktura e vjetër organizative në strukturën e re”.

Ndër të tjera, thuhet se “Plotësimi i strukturës se re organizative nuk nënkupton se janë bërë avancime siç pretendoni ju, por thjesht është kalim nga struktura e vjetër në strukturën e re organizative”.

Përgjigja e plotë dhënë për Periskopin nga Telekomi i Kosovës [pa ndërhyrje]:

Na lejoni të sqarojmë se pas aprovimit të strukturës së re organizative në vitin 2022, Telekomi i Kosovës është në proces të vazhdueshëm të bartjes së stafit nga struktura e vjetër organizative në strukturën e re.

Fillimisht, bartja ose plotësimi i strukturës së re organizative është bërë për nivelet më të larta dhe është bërë kryesisht përmes konkurseve të brendshme, ndërsa aktualisht bartja është duke u bërë për nivelet më të ulëta.

Meqenëse edhe në strukturën e vjetër organizative, këto nivele kanë qenë të plotësuara përmes ushtruesve të detyrës, bartja në strukturën e re është bërë përmes emërimit të ushtruesve të detyrës, fillimisht, e pastaj do të plotësohet me emërime të rregullta, përmes procedurave të konkursit. Me raste, aty ku kompania ka mungesë të stafit dhe kërkohet ekspertizë e veçantë, edhe për nivelet e ulëta në strukturë kujdesemi që bartja në strukturën e re të bëhet me pozita UD, për t’u hapur konkurse edhe për ato pozita.

Plotësimi i strukturës se re organizative nuk nënkupton se janë bërë avancime siç pretendoni ju, por thjesht është kalim nga struktura e vjetër në strukturën e re organizative.

Struktura e re organizative e aprovuar është ndërtuar në formën që të eliminojë pozitat e duplifikuara, që punonjësit të paguhen në bazë të përgjegjësisë që kanë, detyrave dhe funksioneve të tyre dhe të eliminojë pabarazitë që ka pasur struktura e vjetër organizative.

Mbi këtë bazë, plotësimi i strukturës se re organizative nënkupton që për disa pozita të ketë ulje page, për disa ngritje page e për shumicën nuk ka fare lëvizje të pagës.

Përndryshe, për të gjitha ndryshimet në strukturën e re organizative në kompani janë të njoftuar të gjithë që duhet të jenë sipas autorizimeve të kërkuara në kompani, ashtu siç edhe përcaktohet me akte të brendshme. Ju sigurojmë se, bartja në strukturën e re është dhe do të vazhdoje të bëhet në përputhje të plotë me ligjet dhe rregulloret në fuqi.

Sidoqoftë, ju falënderojmë për ‘azhuritetin’ tuaj në përcjellje të kësaj teme. Ju sigurojmë që jemi kompani transparente dhe bashkëpunuese me mediat dhe ju trimërojmë që të interesoheni dhe shkruani edhe për shumë zhvillime të tjera të mira në kompaninë tonë.

Shpërndaje në: