Ndihmës Sekretari i NATO-s: Vendimet për Urën e Ibrit duhet të vijnë përmes dialogut

Ndihmës Sekretari i NATO-s: Vendimet për Urën e Ibrit duhet të vijnë përmes dialogut

Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Boris Ruge është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Kosovë. 

Ruge ka zhvilluar sot një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku kanë diskutuar mbi zhvillimet e fundit, përfshirë këtu edhe çështjen e hapjes së Urës së Ibrit, transmeton Telegrafi.

Ai në një postim në “X”, ka shkruar se NATO është krenare që ka ofruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë në Kosovë për 25 vjet.

Kurse, sa i përket hapjes së Urës së Ibrit, ai ka ritheksuar se vendimet duhet të merren në mënyrë të koordinuar.

“Në Urën mbi Ibër, nënvizova pikëpamjen e NATO-s se vendimet duhet të vijnë përmes dialogut dhe në mënyrë të koordinuar”, shkroi ai, derisa ka bërë thirrjet që të ketë veprime të njëanshme që mund të krijojnë tensione.

Ndryshe, hapja e urës së Ibrit është ndër temat më të diskutuara në vend.

Përkundër kundërshtimeve nga ndërkombëtarët për hapjen e kësaj ure, Qeveria e Kosovës mbetet e vendosur që ura duhet të hapet, dhe përgatitjet për hapjen e saj kanë nisur tash e disa ditë, ku tashmë ka përfunduar testimi për stabilitetin infrastrukturor të urës.

Ndonëse ndër vite u arritën marrëveshje e dakordime, u investua në infrastrukturën e saj si dhe u hap për qarkullim të këmbësorëve, ura e Ibrit vazhdon të jetë e bllokuar për automjete.

BE-ja ka kërkuar edhe një hap shtesë, një diskutim të ri në dialogun Kosovë-Serbi.

Shpërndaje në: