Aktakuza ndaj Nagip Krasniqit, dëm 3.2 milionë euro për KEK-un e shmangie tatimore mbi 500 mijë euro
Mospërfillje e rekomandimeve të ZRRE-së, zyrës ligjore të KEK-ut e grupit punues për ndërprerje të tregtimit të rrymës me kompani të palicencuara. Dëm prej 3.2 milionë euro për KEK-un. Shmangie tatimore prej 531,920,79 euro. Destabilizim të tregut e diskriminim të operatorëve të licencuar.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës të hënën ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar e përcaktuar”.
Paparaci ka siguruar aktakuzën ndaj Krasniqit, ku sqarohen tërë veprimet e tij që bien ndesh me dispozitat ligjore.
KEK-u në krye me Krasniqin, ka nënshkruar kontrata kornizë me tregtarë të cilëve nuk u është njohur licenca në Kosovë. Përkundër reagimeve dhe shkresave zyrtare nga ZRRE që të ndalojë aktivitetin e tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrje të pa licencuar, KEK-u ka vazhduar të kryejë aktivitete në kundërshtim me obligimet ligjore.
“Holding Slovenske Elektrane”, operator i palicenuar
Kështu që me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
Me këtë rast, të njëjtit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Kosovës apo në vlerë prej 531.920.79 euro, dëmtimin apo diskriminimin e operatorëve tjerë ekonomik konkurrent që operonin në tregun e Kosovës e që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore si shkaktimin e dëmit material Korporatës Energjetike të Kosovës në shkallë të madhe apo në vlerë prej 3.229.905.00 euro.
Si rrjedhojë, ZRRE ka konstatuar se KEK ka nënshkruar kontrata me ndërmarrjet të cilat nuk janë të licencuara në Kosovë, respektivisht nuk i njihet licenca e lëshuar nga vendet përkatëse, sipas parimit të reciprocitetit.
Përkundër kësaj, KEK ka shprehur mospajtim me argumentet e ZRRE-së, qëndrim ky personal i Nagip Krasniqit, atëherë kryeshef në KEK.
Edhe nga komunikimet me subjektin e palicencuar “Holding Slovenske Elektrane”, Nagip Krasniqi ia kishte konfirmuar vazhdimin e tregtimit të energjise elektrike. Si rrjedhojë e të cilit konfirmim pastaj edhe ka vazhduar tregtimi i energjisë elektrike nga KEK me këtë operator deri në pezullimin dhe ndërprerjen përfundimtare të kontratës në maj 2023, perkatësisht gusht 2023.
Nga ARBK më datë 19.05.2023 ishte vërtetuar se në regjistrin e Agjencionit të Bizneseve në Kosovë nuk figuron të jetë regjistruar biznesi “Holding Slovenske Elektrane”.
Pas shkreses se KEK datë 07.08.2023, vërtetohet se pas arrestimit të Nagip Krasniqit (per çeshtje qe nuk nderlidhen me kete rast), KEK me date 19.05.2023 fillimisht kishte njoftuar “HSE” se po e pezullonte bashkepunimin per ta njoftuar me von me date 07.08.2023 se po e shkepusin kontraten ne mungese te licences se leshuar nga ZRRE, duke e njoftuar qe ne momentin qe “HSE” deshmon posedimin e licences te leshuar ose te njohur nga ZRRE, atehere KEK mund te inicioj procesin e nenshkrimit te nje kontrate te re me “HSE”.
Tutje, në aktakuzë përmendet se “nga raporti policor njoftues me datë 31.07.2023 vërtetohet se KEK kishte tregtuar energji elektrike me operatorin “HSE” duke eksportuar energji elektrike tek i njejti në vlerë prej 37.012.072.52 euro, ndërsa importuar nga ai në vlerë prej 5.084.415.50 euro, përgjate periudhes kohore 2020-2023”.
Arsyetimi i Nagip Krasniqit në Prokurori
Nagip Krasniqi në mbrojtjen e dhënë në prokurori më datë 05.07.2024, tregtimin e energjise elektrike e kompanine “HSE” e kishte arsyeturar duke thënë se KEK kishte tregtuar me të gjitha kompanitë që kishin qenë të licencuar në Kosovë dhe në shtetet që kishin qenë anëtarë të komunitetit të energjisë të cilat sipas Ligjit për Energji Elektrike nuk kishin nevojë për rilicencim në Kosovë.
Ai po ashtu kishte thënë se KEK-u që nga viti 2018 kishte kontratë të veçantë për tregtim të energjisë elektrike me HSE dhe tregtarët tjerë dhe se HSE-ja kishe bërë aderimin e rregullt të tregut në Kosovës tek KOSST.
Lidhur me vërejtjen e ZRRE-së ai i ka përmendur tri arsye pse nuk ishte marrë për bazë. 1. Tregtimi i energjisë ishte bërë jashtë territorit të Kosovës dhe për atë tregtim ZRRE-ja nuk kishte kompetence, 2.Duke u bazuar në ligjin per energjine elektrike neni 32 dhe 3, perjashtimi i nje operatori ndikonte ne rritjen e çmimeve ne blerje dhe çmimeve me të ulëta në shitje, që do të dëmtonin interesin e kompanisë dhe do të ngarkonte më shumë fondin e subvencionimeve nga Qeveria.
Pastaj, lidhur me opinionin e zyres ligjore per vërejtjet e ZRRE-se per nderprerje te tregtimit me operatorë të palicencuar dhe pse nuk ishte marrë për bazë opinioni i tyre, Krasniqi ka thënë se arsyet kryesore ishin sepse ligji per energjine elektrike e lejonte. E dyta, në biseda me sekretariatin e energjise ne Vjenë, interpretimi i tyre verbal kishte qene qe ligji per energjine elektrike e lejonte diçka të tille dhe se kompanitë nuk duhet që të pengoheshin në tregtimin e lirshëm të energjisë elektrike.
Për rekomandimin e ZRRE-së, per ndërprerje të tregtimit me HSE-në, ai ka deklaruar se rekomandimi nuk ishte obligim dhe atë rekomandim e kishte konsideruar të kundërligjshëm dhe po te respektohej i njëjti dëmi do të ishte i parparueshëm si dhe ka shtuar se HSE nuk duhej trajtuar si kompani e palicencuar pasi e njejta ishte kompani shtetërore në Slloveni dhe Sllovenia ishte anëtare e komunitetit të energjisë.
Vlerësimi i Prokurorit
Nga provat është vërtetuar se Krasniqi ishte në dijeni që veprimet e tij bien ndesh me dispozitat ligjore, sepse ZRRE, zyra ligjore e KEK e grupi punues i përbërë nga menaxhmenti i KEK e kishin vënë në dijeni disa herë mirepo i njëjti megjithatë kishte vazhduar veprimet, rrethanë kjo që provon edhe dashjen e tij për mundësim të tregtimit dhe shpërblimit me kontrata operatorit HSE.
“Si rrjedhojë e veprimeve të Nagip Krasniqit te tregtimit të energjisë elektrike te KEK me subjektin HSE perderisa ky subjekt nuk ishte i regjistruar dhe i licencuar në Kosovë respektivisht nga ZRRE perveç që iu pamundësua ZRRE-së si organ rregullues dhe kontrollues ta kontrolloj te njëjtin nëse i përmbahej rregullave të balancimit, i pandehuri i mundësoi këtij operatori përfitimin pasuror, shmangien e rregullave fiskale të vendit ku si rrjedhojë edhe do të duhej të deklaronte dhe paguante detyrimet tatimore të konstatuara nga ATK në shumë prej 531.920.79 euro, i mundësoi kushte më të favorshme në treg në raport me operatorët tjerë të cilët i nënshtroheshin rregullave dhe ligjeve të Kosovës dhe në anën tjetër KEK-ut i shkaktoi dëm material në vlerë prej 3.229.905.00 euro, për shkak të gjobës së marrë nga ZRRE pikërisht për shkak të mosndërprerjes së tregtimit me këtë operator”, thuhet në aktakuzë.
Gjithashtu, prokurori ka propozuar që ndaj Nagip Krasniqit të shqiptohet edhe dënim plotësues “ndalimi i ushtrimit te profesionit, veprimtarisë ose detyrës” për faktin se konsideron se i njejti edhe në të ardhmen mund të kryej vepra penale të ngjashme.