Stano për urën e Ibrit: Pozicioni i BE-së s’ka ndryshuar, Qeveria t’i dëgjojë mesazhet e aleatëve
Pozicioni i BE-së rreth çështjes së hapjes së urës së Ibrit nuk ka ndryshuar, thotë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Në një konferencë për media, Stano ka thënë se po vazhdojnë diskutimet në lidhje me këtë çështje edhe se pikëvështrimi i partnerëve ndërkombëtarë është se “veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara” nga qeveria e Kosovës duhet të shmangen.
“Qëndrimi i Bashkimit Evropian lidhur me urën është thënë qartë gjatë ditëve dhe javëve të kaluara, si dhe u është komunikuar partnerëve në Prishtinë, dhe është diskutuar gjerësisht me të gjithë partnerët tjerë brenda BE-së, me SHBA-në dhe KFOR-in. Pozicioni i BE-së nuk ka ndryshuar. Nuk ka asgjë të re për të shtuar, vetëm ritheksoj që po, ka diskutime dhe ndërveprime që po vazhdojnë lidhur me këtë çështje, në linjë me qëndrimin e BE-së që veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara duhet të shmangen dhe që kjo çështje duhet të diskutohet në kuadër të dialogut. Ky është pikë-vështrimi i të gjithë partnerëve dhe aleatëve të Kosovës”, ka deklaruar Stano.
Stano ka theksuar se qeveria e Kosovës do të bënte mirë po të dëgjonte këto mesazhe nga aleatët.
“Autoritetet e Kosovës do t’i bënin një shërbim të mirë vetes dhe qytetarëve të tyre nëse do të dëgjonin dhe do t’ua vinin veshin mesazheve nga partnerët dhe aleatët. Preferojmë të mos spekulojmë në skenarët: çka nëse. Ne jemi të angazhuar me partnerët, në Kosovë dhe komunitetin ndërkombëtarë për të shmangur çfarëdo hapi të njëanshëm dhe të pakoordinuar që mund të ketë më shumë ndikim negativ dhe pasoja, jo vetëm në komunitetet e prekur, por edhe administratën kosovare dhe Qeverinë në Prishtinë”, ka vijuar ai.
Ai ka thënë se nuk ka ndonjë datë për takimin e radhës në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi duke theksuar se qëndrimi i BE-së për çështjen e urës është i qartë.
“Qëndrimi i BE-së është shumë i qartë. Nuk kam datë për takim të cilën mund ta njoftoj tani, por qëndrimi i BE-së dhe i të gjithë partnerëve të BE-së është shumë i qartë kur bëhet fjalë për atë se si duhet ta trajtojmë ri-hapjen e urës dhe kjo po diskutohet me Prishtinën dhe partnerët ndërkombëtarë”, ka shtuar Stano ndër të tjera.
Vendet e QUINT-it, SHBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë quajtur të “njëanshëm” synimin e Qeverisë së Kosovës për rihapjen e urës së Ibrit në këtë kohë.
Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.