Kurti tha se ka “xehe të pakta e shumë punëtorë në Trepçë”, menaxhmenti për pak ditë i largoi nga puna tetë minatorë
Brenda pak ditëve, Ndërmarrja “Trepca” ka larguar nga puna 8 punëtorë, e një e ka pezulluar. Sipas njoftimit që e kanë bërë në Facebook, arsyet e ndërprerjes së marrëdhënies së punës, është për shkak të shkeljes së detyrave.
Largimin e tyre nuk kanë pranuar ta komentojnë nga Sindikata e Minatorëve, an ipse Periskopi insistoi.
Ata thanë shkurtimisht se menaxhmenti mund të jap detaje.
“Ju lutem referojuni menaxhmentit, deri tani tek ne s’ka pasë asnjë ankesë. Ne nuk dimë, menaxhmenti mund të ju jap informata me të sakta”, u shprehën për Periskopin nga Sindikatat e Punëtorëve të Trepçës.
Ndërsa, pak ditë më parë, Kryeministri Kurti në mbeldhjen e Qeverisë derisa i ndau 4 milionë euro për punëtorët e kësaj ndërmarrjeje, tha se Trepça ka “tepër shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”.
“Për ndërmarrjen publike Trepça do të ndajmë katër milionë euro dedikuar për mbështetje të Trepcës, në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale ku ndërmarrja nuk ka arritur të sigurojë pagat nga xehet e nxjerra. Duket se ka tepër shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”, u shpreh Kurti.
Kujtojmë që nga fillimi i muajit korrik, punëtorët e kësaj ndërmarrjeje e patën ndërprerë punën, për shkak se nuk u patën paguar pagat për muajt qershor dhe korrik, si dhe për shkak të mungesës së shujtave ditore për ushqim.
Në një situatë të ngjashme, minatorët e Trepçës e kanë gjetur veten disa herë edhe gjatë vitit të kaluar.
Albin Kurti që sot qëndron në krye të ekzekutvit, sa ishte opozitar luftonte për kushtet e minatorëve, duke vlerësuar punën e tyre.
“Trepça na nevojitet për zhvillimin tonë ekonomik, sepse një vend pune i minatorit nën tokë, i hap katër vende pune tjera mbi tokë”, thoshte ai.
Ai në opozitë kritikonte partitë e tjera që, sipas tij, kishin lënë ndërmarrjen publike “Trepça” pas dore.
Kurti deklaronte se mosinvestimi në “Trepçë” është krim.
Ai madje atë kohë e kuptonte edhe mos-produktivitetin e minatorëve, duke e arsyetuar se nuk kanë kushte.
“Nuk mund të kemi minatorë me produktivitet të duhur në këto kushte kështu, mesjetare. Mosinvestimi në “Trepçë” është një ndër krimet më të mëdha në Kosovën e pasluftës sepse nuk është krim vetëm kur bën diçka keq por edhe kur s’bën diçka mirë e, e ke përgjegjësinë për diçka të till,”, thoshte ai.