Aktakuza ndaj Nagip Krasniqit, Azemi: Kjo garniturë e pushtetit i solli dëme Kosovës në miliona euro

Aktakuza ndaj Nagip Krasniqit, Azemi: Kjo garniturë e pushtetit i solli dëme Kosovës në miliona euro

Visar Azemi i LDK-së e ka komentuar aktakuzën ndaj ish-drejtorit të KEK Nagip Krasniqi, për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Azemi tha se Krasniqin e kishte instaluar VV-ja në krye të KEK-ut dhe të njëjtin e mbronte e gjithë partia. Azemi thotë se VV e mbronë edhe Martin Berishajn, të cilin e quan “kryemafioz të energjisë”.

“Kjo garniturë e njerëzve të pushtetit që bënin pazare me energjinë, i solli dëme Kosovës në miliona euro. Ndërmarrja e KEK-ut u kthye në çerdhe të krimit, me qindra kontrata njëburimore në vlerën e mbi 100 milionë eurove për dosta të pushtetarëve”, shkruan ai.

Ai thotë se aktakuza ndaj Krasniqit tregon përfshirjen e pushtetit në KEK, që sipas tij ky kontroll e ndikim duhet të marrë fund.

Reagimi i tij i plotë:

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë ndaj ish-drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqit. Sipas aktakuzës ai nga 15 tetori vitit 2021 e deri me 19 prill 2023, në  cilësinë e personit zyrtar, kishte kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Këtë njeri që e kishte instaluar partia në pushtet në krye të KEK-ut, edhe pas arrestimit të tij, ishte marrë në mbrojtje nga zyrtarët më të lartë të pushtetit. E mbronte gjithë Lëvizja Vetëvendosje, pjesë e cilës ishte. Siç e mbronin dhe mbrojnë edhe Martin Berishaj, kryemafiozin e energjisë, të cilin raportohej se Nagip Krasniqi e takonte fshehtas.

Kjo garniturë e njerëzve të pushtetit që bënin pazare me energjinë, i solli dëme Kosovës në miliona euro. Ndërmarrja e KEK-ut u kthye në çerdhe të krimit, me qindra kontrata njëburimore në vlerën e mbi 100 milionë eurove për dosta të pushtetarëve.

Aktakuza e sotme është pasqyra e përfshirjes së pushtetit në KEK. Ky kontroll e ndikim është i dëmshëm e duhet të marrë fund. Urojmë që organet e drejtësisë do të arrijnë ta zbardhin tërësisht krimin në KEK, pa u penguar nga ky pushtet që me çdo kusht e do kapjen e secilit institucion.

Shpërndaje në: