Kurti dikur “avokat” i Nagip Krasniqit që sot iu ngrit aktakuzë, kështu e sulmonte prokurorinë
Në prill të vitit 2023 në Kuvendin e Kosovës, arrestimi i kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, ishte bërë shkak që kryeministri, Abin Kurti, të drejtojë akuza të shumta kundër Prokurorisë dhe kryeprokurorit të PS-së, Blerim Isufaj.
Kurti atëherë i kishte dalë në mbrojtje Krasniqit, teksa kishte thënë se në Prokurorinë e Shtetit ekziston një disponim negativ ndaj qeverisjes së tij.
Ai ka theksuar se në atë seancë plenare opozita po ia bën gjyqin “një njeriu që i ka sjellë mbi 100 milionë euro fitime KEK-ut”.
Kurti, ndërkaq, e kishte kualifikuar Prokurorinë si selektive, ndërsa ka thënë se ajo “me zellin e njëjtë nuk kanë vepruar edhe me dëshmitë e keqpërdorimeve të mëhershme”.
Këtë ai e ka ndërlidhur me figurën e Isufajt, aftësitë e të cilit i ka vënë në pikëpyetje.
“Bëhet fjalë për një prokuror që është i mirënjohur që rastin e vrasjes së Dino Asanajt e kategorizoi në vetëvrasje, ndërsa vetëvrasjen e Hamdi Sopës e shndërroi në vrasje. Njihet si prokuror që asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykata dhe pikërisht ky prokuror dëshiron të bëhet kryeprokuror”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se drejtësia në Kosovë lëngon, shkaku që ka prokurorë të cilët nuk dinë dhe as nuk duan që të punojnë.
Për këto qëndrime, Kurti ishte akuzuar nga ligjvënësit opozitarë se po mbron një të dyshuar për përfshirje në korrupsion, i cili, sipas tyre, ka qenë zyrtar i Vetëvendosjes.
Nagip Krasniqi ishte arrestuar nga Prokuroria Speciale më 19 prill të këtij viti. Sipas Prokurorisë, i njëjti dyshohej se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.
Kurse në shtator ishte liruar nga paraburgimi, por iu ndalua t’i afrohej objektit të KEK-ut në 50 metra.
Ndërkohë, më 25 prill Bordi i KEK-ut e ka pezulluar nga detyra e kryeshefit të kësaj korporate.
Krasniqi, në letrën përshëndetëse ka thënë se “nuk ka arritur ta përmbush plotësisht objektivin e tij, porse ka lënë disa gjurmë të mira”.
“Ne nuk ia dolëm plotësisht në objektivin tonë përfundimtar. Ne humbëm disa beteja kyçe përgjatë rrugës, kemi humbur disa njerëz të mirë, dështuam të fitojmë…dhe këto janë disa nga shijet e mia të hidhura që i mora me vete. Por, ne lamë pas vete disa gjurmë të mira, dhe rrënjosëm thellë idenë dhe konceptin se ndryshimi dhe transformimi është i mundur. Po ashtu lamë prapa disa njerëz vërtetë të mrekullueshëm që do të vazhdojnë ndryshimit dhe përfundimisht do ta kompletojnë transformimin”, ka shkuar Krasniqi në “LinkedIn”.
Ndërsa më 19 gusht, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi.
Sipas njoftimit të PSRK-së, Krasniqi dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar e përcaktuar”.
“I pandehuri N.K. në cilësinë e personit zyrtar, ka shfrytëzuar detyrën zyrtare, ku kishte kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar e përcaktuar Sipas aktakuzës i pandehuri N.K. duke filluar nga data 15 tetor 2021 e në vazhdimësi deri me datë 19 prill 2023, në cilësinë e personit zyrtar, duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, kishte kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar e përcaktuar me nenin 414 par. 2 lidhur me nenin 77 të KPRK-së’ “, thuhet në njoftim e PSRK-së të siguruar nga Paparaci.
Aktakuza përfshin detaje lidhur me favorizimet që Krasniqi dyshohet t’ia ketë bërë një kompanie sllovene për blerje të rrymës.
“Ne kemi blerë energji nga tregtarët që janë ofruar. Nuk mund të vendosim se cila do të afrohet. GEN ka bërë disa herë oferta dhe ajo ka pika të ndryshme. Ajo ka fituar disa herë në ankande. Në Tiranë, Beograd etj.. tash nga cila pikë ofrojnë ne nuk mund t’ua diktojmë. Ne blejmë energji nga ato kompani të licencuara në Federatën Europiane”, kishte deklaruar Krasniqi në RTK./Paparaci