Dimal Basha ‘ngulet’ sërish: Platforma për kontroll të fakteve e demanton postimin e tij ku sulmon mediat
Platforma për kontroll të fakteve, Hibrid.info, ka reaguar pasi deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, përdori një raport të tyre dhe sulmoi mediat në Kosovë.
Hibrid ka thënë se pjesa ku Basha thotë se mediat po e ndihmojnë Rusinë dhe Serbinë në keqinformim nuk është pjesë e raportit të tyre.
Pra, ky është koment i vetë Bashës dhe jo gjetje e raportit.
“Duke përdorur njërin prej grafikoneve të raportit dhe disa statistika të përmendura në të, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka bërë një publikim në llogarinë e tij në Facebook. Në fund, deputeti Basha ka shtuar një fjali që nuk është pjesë e raportit. Ky koment i tij më pas është publikuar si lajm në disa media”, thuhet në reagimin e Hibrid.
“Për shkak të hapësirës së lënë për keqinterpretim dhe interesimit të mediave për këtë çështje, hibrid.info sqaron se pjesa e publikimit të deputetit Basha: “dhe kjo na tregon se Serbia dhe Rusia janë aktive në vendin tonë dhe po punojnë shumë për të keqinformuar publikun për cfarëdo vendimi të Kryeministrit, por pa lënë anash mediume në shqip që po e ndihmojnë Serbinë e Rusinë në këtë keqinformim”, është koment personal i deputetit dhe nuk është pjesë e raportit “Prapa Ekraneve: Raport vjetor për gjendjen e çrregullimit informativ”.
Po ashtu Hibrid ka thënë se shifrat që i ka paraqitur Basha nuk përputhen me të dhënat e raportit që ata kanë publikuar javën e kaluar.
Basha ka thënë se 67% e 818 artikujve janë vlerësuar si dezinformata, ndërsa në raportin e hibrid.info, thuhet se 21% e përmbajtjeve keqinformuese nga 818 sosh, janë vlerësuar si “dezinformatë”, e jo 67% siç pretendohet nga Basha.
Ndërsa, në përmbajtjet e vlerësuara si “dezinformatë” (21%), 37% janë nga fusha e sigurisë e 30% nga politika.
“Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “gabim”.”