Më shumë se 1 vit që kur Arben Vitia premtoi ndërtimin e Spitalit të Ferizajt, punimet ende nuk kanë nisur

Më shumë se 1 vit që kur Arben Vitia premtoi ndërtimin e Spitalit të Ferizajt, punimet ende nuk kanë nisur

Punimet në ndërtimin e objektit të ri të Spitalit të Ferizajt ende nuk kanë nisur. Në kohën kur do të duhej të kishte një riprojektim të përfunduar, Ministria e Shëndetësisë ia ka zgjatur afatin kompanisë kontraktuese edhe për dy muaj. Në Ministri thanë se afati i projektit është shtyrë për shkak të arsyeve teknike, e në Komunën e Ferizajt e akuzuan ekzekutivin për neglizhencë dhe joseriozitet

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitit, në shkurtin e vitit 2023, pas takimit me kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, pati premtuar se shumë shpejt do të nisin punimet në objektin e ri të Spitalit të Ferizajt. Por, jo që nuk ka nis ndërtimi, por as riprojektimi për të cilin që në mars ishte angazhuar një kompani.

“Ekipet teknike tashmë i kanë rregulluar të gjitha gjërat, është në kornizën buxhetore të këtij viti dhe sa më shpejt që është e mundur do të rifillojnë punimet në ndërtesën aktuale”, pati thënë Vitia një vit e gjysmë më parë.

Në mars të këtij viti Ministria e Shëndetësisë kontraktoi kompaninë “Vizion Project” në vlerë prej gati 67 mijë eurosh për ta bërë riprojektimin e spitalit.

Ai pritej të përfundonte në fund të muajit korrik dhe do t’i hapte rrugë nisjes së punimeve.

Mirëpo një javë më parë Ministria e Shëndetësisë ka ndryshuar kushtet e kontratës duke ia zgjatur kësaj kompanie afatin edhe për dy muaj.

“Ky amendament është hartuar bazuar në kërkesën e EMK – menaxherit të kontratës së datës 02.08.2024, e cila i referohet kërkesës së kontraktorit të datës 10.07.2024, si dhe përmbledh arsyeshmëritë teknike dhe procedurale për nevojën e zgjatjes së afatit për 60 ditë”, shkruan në amendamentin e kontratës “Riprojektimi i Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajt”.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thanë se afati i projektit është shtyrë për shkak të arsyeve teknike lidhur me hartimin e zgjidhjeve për stabilitetin e objektit.

“Ju informojmë se projekti ende nuk është përfunduar. Afati për kryerjen e projektit është shtyrë për 60 ditë të tjera për shkak të arsyeve teknike lidhur me hartimin e zgjidhjeve për stabilitetin e objektit dhe për shkak të vonesës në aprovimin e projektit ideor nga grupi menaxhues. Projekti ideor është aprovuar muajin e kaluar, dhe ne presim dorëzimin dhe pranimin e projektit zbatues deri më 07.10.2024”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

KOHA ka pyetur edhe kompaninë kontraktuese për arsyen e zgjatjes së afatit për dorëzim të riprojektimit, porse nuk ka ofruar përgjigje.

Lidhur me situatën rreth Spitalit të Ferizajt nuk ka kthyer përgjigje as Shërbimi Spitalor Klinik Universitar, që i ka nën ombrellë spitalet rajonale.

E në Komunën e Ferizajt teksa e akuzuan Ministrinë e Shëndetësisë për neglizhencë dhe papërgjegjësi, thanë se zgjatja e afatit është e pajustifikueshme.

“Tek në tetor është afati i fundit për dorëzimin e projektit, shto kësaj kohën e tenderimit sa të merr kohë, sa mund të ketë ankesa të ngjashme, kështu që shanset para marsit-prillit të ardhshëm janë shumë të vogla për të filluar ndërtimi, dhe kjo është shumë shqetësuese dhe e ka humb kuptimin çdo mirësjellje e jona ndaj ministrit të Shëndetësisë… Është vonim i qëllimshëm për të ardhur deri te faza ose te koha e zgjedhjeve të reja dhe pastaj me u përdor kjo si diçka që jemi duke bërë”, ka deklaruar Lulzim Aliu, nënkryetar i Komunës së Ferizajt.

Aliu thotë se në spitalin aktual pacientët dhe stafi janë duke u përballur me kushte të rënda dhe me hapësira të pamjaftueshme.

“Çfarë arsye mund të ketë sot ministri i cili në tavolinë nëpër takime është shumë gojëmbël, shumë dashamirës, thua ti nuk ka me ndodh asnjë telashe dhe punët kanë me u krye në kohën shumë shpejt edhe të duhur. Mirëpo 1 vit e gjysmë, për mua dëshmon që ai njeri si ministër është neglizhent dhe këtë ngecje është duke e bërë me qëllim”, ka theksuar Aliu.

Kontrata për ndërtimin e spitalit ishte nënshkruar në vitin 2018 nga ministri i atëhershëm i Shëndetësisë nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili.

Më 2021 KOHA pati raportuar sesi kompania që fitoi tenderin për ndërtim të spitalit ishte denoncuar në Prokurori Speciale nga Ministria e Shëndetësisë, me dyshime se kreu vetëm punimet e vrazhda dhe po e njëjta kërkoi rishqyrtim të projektit dhe miliona euro shtesë.

Shpërndaje në: