Paralajmërimi i prindërve të nxënësve nëse paratë për blerjen e librave nuk transferohen me kohë
Këshilli i Prindërve të Kosovës vlerëson se metodologjia e sigurimit të librave nga Ministria e Arsimit dhe shpërndarja e tyre nëpër shkolla është më e suksesshme se sa metoda e subvencionimit të blerjes së librave përmes prindërve.
Edhe Lendita Murtezaj, e ëma e një nxënëseje të klasës së dytë të shkollës fillore të mesme të ulët “Nazim Gafurri” në Prishtinë, në një bisedë për KALLXO.com, para se të aplikonte në platformën e-Kosova për subvencionimin e blerjes së librave, e ka vlerësuar më shumë metodën e furnizimit me libra të nxënësve në shkolla.
Pas aplikimit për subvencionim të blerjes së librave në platformën e-Kosova, Murtezaj ka konfirmuar se aplikimi ishte më i lehtë krahasuar me vitin e kaluar dhe se e ka marrë njoftimin se aplikimi është kryer me sukses.
Ajo tashmë shpreson se paratë e subvencionimit të blerjes së librave do të transferohen në xhirollogarinë e saj bankare para datës 02.09.2024, kur edhe fillon viti shkollor 2024/2025.
“Vitin e kaluar, beso që dy-tri ditë kam hjekë për me apliku, por këtë vit po e shoh që e kanë rregullu dhe gjithçka ishte ma e lehtë. Po shpresojmë që para datës 2 (shtator 2024), besoj që edhe na i dërgojnë të hollat, i qesin nëpër konto (llogari bankare), se duhet me fillu, qysh me 2 shtator duhet me kanë fëmija komplet me libra” – ka thënë Murtezaj.
Në të kundërtën, ajo ka paralajmëruar se nëse nuk i transferohen paratë për blerjen e librave do t’i dërgojë fëmijët pa libra në shkollë.
“Në rast se nuk i qesin (paratë e subvencionimit), atëherë do i dërgoj fëmijët pa libra, vetëm me fletore. Kjo është në ndërgjegjen e tyre, se ne nuk kemi mundësi. Po meqë këtë vit ka fillu aplikimi shumë shpejt, po them edhe unë, që këta para datës 2 (shtator) kanë me i qit të hollat edhe mi siguru fëmijët me libra- që me startu” – ka theksuar Murtezaj.
Aplikimi i prindërve të nxënësve të klasave 1 – 9 për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore në platformën e-Kosova ka filluar nga data 14.08.2024.
Së fundmi, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se deri më tani numri i aplikuesve për subvencionim për libra dhe mjete mësimore në platformën e-Kosova ka shkuar në 121,200.
Sipas ministres Nagavci, nga java e ardhshme do të fillojë transferi i mjeteve për ata që kanë aplikuar për t’u subvencionuar për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.
Në vitin shkollor 2023/2024, Murtezaj tha se kishte aplikuar për vajzën në klasën e parë dhe për tjetrën në klasën e nëntë. Ajo kishte hasur në vështirësi për vajzën në klasë të parë, pasi kishte qenë dy muaj pa i bërë 7 vjeç dhe i kishin dalur me vonesë paratë e subvencionimit të blerjes së librave për të.
“Vjet kam apliku për dy vajzat dhe njërës nuk mi kanë dalë (paret e subvencionimit), atëherë në momentin e fundit kam hy te e-Kosova edhe gjithçka është rregullu” – ka treguar Murtezaj.
Prindërit e nxënësve të klasave 6 – 9 vitin e kaluar shkollor 2023/2024 u subvencionuan me 30 euro vetëm për blerjen e mjeteve mësimore.
Kurse, prindërit e nxënësve të klasave 1 – 5 në vitin shkollor 2023/2024 u subvencionuan me 80 euro për blerje të librave dhe mjeteve mësimore.
Vitin e kaluar, Murtezaj thotë se kanë shpenzuar më shumë 20 deri 30 euro më tepër për vajzën që ishte në klasë të parë.
“Për neve si prind dhe ma e lehtë kishte me qenë sigurimi i librave siç kanë qenë vitet tjera dhe jo me na ba këto maltretime… Kam pas vështirësi, për vajzën tjetër apet librat e klasës parë gjenden te një librari mund t’i blesh të gjitha në një vend, ama për këto tjera besom që s’disa libra kam vrapu tek ajo librari, tek ajo librari edhe s’kam gjetë tekste shkollore” – ka shtuar Murtezaj.
Me këtë rast ajo ka vlerësuar se shuma prej 80 eurosh nuk është e mjaftueshme për t’i blerë librat.
“Me një shumë prej 80 euro nuk është e mjaftueshme, nuk është se me 80 euro le të shkon le t’i marrin vet Qeveria në qoftë se munden m’i marrë me 80 euro, po nuk i mbulon ato” – tha ajo.
Për prindërit e nxënësve të klasave 1 – 5 në vitin shkollor 2024/2025, Ministria e Arsimit njoftoi se do t’i subvencionojë me 80 euro për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore, njësojë si vitin e kaluar.
Ndryshe nga viti i kaluar, Ministria e Arsimit do t’i subvencionojë edhe prindërit e nxënësve të klasave 6 – 9 për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore, me nga 110 euro.
Subvencionimi i blerjes së librave ‘i pakuptimtë’ dhe ‘i panevojshëm’ për Këshillin e Prindërve të Kosovës
Këshillin e Prindërve të Kosovës (KPK) nuk e ka befasuar njoftimi i Ministrisë së Arsimit për aplikimin e subvencionimit të blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.
Kështu ka thënë për KALLXO.com, kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Besnik Dragusha.
Ai ka thënë po ashtu se subvencionimi i blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për ta është “i pakuptimtë” dhe “i panevojshëm”.
“Ne si KPK kemi theksuar edhe në vitin e kaluar se sigurimi i teksteve shkollore duhet të bëhet me kohë nga MASHTI dhe ato të dërgohen në shkolla para 1 shtatorit. Njoftimi i Ministrisë nuk na ka befasuar, por është i pakuptimtë dhe i panevojshëm që të bëhet në këtë formë, kur është praktika e viteve paraprake, për të cilët, ne mendojmë që ka qenë e suksesshme, jo me subvencionim” – ka thënë Dragusha, më 15.08.2024.
Për shkak të vështirësive që u shfaqën vitin e kaluar për furnizimin me libra, Dragusha tha se kanë kërkuar që këtë vit të bëhet sigurimi i librave përmes Ministrisë së Arsimit në shkolla.
“Bazuar në problemet që janë shfaqur vitin e kaluar me mënyrën e shpërndarjes së teksteve shkollore përmes subvencionimit, ku ka pasur vonesa dhe probleme në proces, ne si KPK kemi kërkuar që këtë vit të bëhet sigurimi i teksteve ashtu siç është praktikuar që shumë vite, jo me subvencione” – ka treguar Dragusha.
Në konferencën për media të datës 13.08.2024, ku ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci deklaroi se edhe këtë vit shkollor do të subvencionohet blerja e librave ngjashëm si në vitin e kaluar shkollor, 2023/2024, ajo tha se nuk është në dijeni të ketë pasur ndonjë kërkesë formale nga KPK për mosubvencionimin e librave.
“Me aq sa jam në njohuri nuk di që ka një kërkesë formale për mossubvencionim. Mund të ketë një të tillë, më vjen keq nëse nuk jam në njohuri, e di vetëm që kanë kërku takim diskutimi edhe për kalendarin e vitit shkollor edhe për subvencionimin me tekste, edhe me çështje tjera dhe do të takohemi ditëve në vijim ashtu siç jemi takuar edhe në të kaluarën” – ka deklaruar Nagavci, më 13.08.2024.
Dragusha ka njoftuar se akoma nuk kanë mbajtur mbledhje si Këshill i Prindërve të Kosovës, pas njoftimit të Ministrisë së Arsimit për subvencionimin e blerjes së librave, pasi sipas tij, janë në kohën e pushimeve, por së shpejti do të mbajnë një mbledhje fizike.
Ai ka treguar se kanë pranuar ankesa nga prindërit në lidhje me subvencionimin e blerjes së librave për vitin shkollor 2024/2025.
“Po kemi pasur ankesa, edhe vitin e kaluar edhe këtë vit. Këto ankesa do t’i trajtojmë në mbledhjen e ardhshme dhe do t’i adresojmë zyrtarisht në Ministri” – ka njoftuar Dragusha.
Se si e shohin dallimin e subvencionimit të blerjes së librave për këtë vit, në krahasim me vitin shkollor 2023/2024, ku do të bëhet edhe subvencionimi i blerjes së librave për prindërit e nxënësve të klasave 6 – 9, Dragusha ka insistuar se për prindërit më e levërdishme është sigurimi i librave nga Ministria e Arsimit.
“Për prindër më e lëvërdishme është sigurimi i librave nga Ministria, karshi subvencionimit. Vitin e kaluar janë subvencionuar kalasat 6-9 me nga 30 euro për fletore pune, këtë vit shuma është më e madhe sepse subvencionohen librat bazë dhe fletore pune” – është shprehur ai.
Kur është pyetur nga KALLXO.com se sipas informacioneve që kanë me kryetarët e Këshillit të Prindërve në komunat e Kosovës, a janë të mjaftueshme shumat e ndara nga Ministria e Arsimit për subvencionimin e blerjes së librave për prindërit e nxënësve të klasave 1 – 9, Dragusha ka thënë se nuk kanë informacione të plota për t’u përgjigjur se këto shuma janë apo jo të mjaftueshme.
“Nuk kemi informacione as për sasinë e teksteve (shkollore) në treg, e as për vlerën monetare të tyre, që të themi se shuma e përcaktuar është apo nuk është e mjaftueshme. Nga disa kryetar të këshilleve komunale, kemi pasur shprehje të shqetësimit të tyre lidhur me subvencionimin, menjëher pas publikimit të vendimit nga MASHTI” – është përgjigjur ai.
Në konferencën për media të datës 13.08.2024, ministrja Nagavci bëri të ditur se tashmë kanë aprovuar listën e teksteve shkollore që do t’i blejnë nxënësit.
“Këto lista që i kemi pranuar nga drejtoritë komunale të Arsimit do t’i publikojmë edhe në uebfaqe të Ministrisë së Arsimit” – tha Nagavci, më 13.08.2024.
Si përfundim, Dragusha konsideron se njoftimi i Ministrisë së Arsimit që edhe këtë vit ta subvencionojë blerjen e librave përmes prindërve është marrë me shumë vonesë.
“Prindërit gjithmonë kanë kohë për fëmijët e tyre. Por, këtu problemi qëndron në faktin se ekziston metoda paraprake e blerjes së teksteve nga Ministria, e cila ka qenë e suksesshme deri më tani, ndërsa po aplikohet metoda e subvencionimit e cila vitin e kaluar ka pasur shumë probleme, si me aplikim, njashtu edhe me transfere të mjeteve monetare. Dhe, mos ta lëm pa e cekur edhe faktin se një vendim i tillë është marrur me shumë vonesë, vetëm rreth 20 ditë para se të fillojë procesi mësimor” – ka theksuar ai.
Buxheti i dedikuar deri më tani nga Qeveria për subvencionimin e blerjes së librave e mjeteve mësimore 2024/2025
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës i ka dedikuar 13,875,138 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, më 15.08.2024.
Shuma prej 13,875,138 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025 është dedikuar në kuadër të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 14.08.2024.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës më 14.08.2024, fillimisht është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Arsimit për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 7,375,138 euro për subvencionimin e blerjes së teksteve dhe materialeve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.
Pastaj janë ndarë edhe 6.5 milionë euro në kuadër të masës 4.2 – Mbështetja e Arsimit, të Pakos së Ringjalljes ekonomike, për subvencionimin e materialeve dhe teksteve shkollore.
Opozita edhe këtë vit po kundërshton mënyrën e subvencionimit të librave.