Malisheva e Ferizaj ‘ndahen’ në paqe
Stadiumi “Liman Gegaj” ishte nikoqir i ndeshjes Malisheva – Ferizaj.
Bekim Isufi debutoi në krye të klubit malishevas, duke arritur një barazim, me Ferizajn që ia mohoi fitoren në minutat e fundit të ndeshjes.
Malisheva doli në epërsi qysh në pjesën e parë, me golin e shënuar nga Fatjon Bunjaku në minutën e 40-të të takimit.
Kështu u mbyllë edhe pjesa e parë, e cila nuk pati më raste të mira shënimi.
Ndërsa, në të dytën po ashtu u shënua një gol, por nga ana e mysafirëve.
Ishte Redon Syla, i cili në minutën e 90-të shënoi një gol të bukur, për t’ia mohuar fitoren vendasve, dhe për të mbetur të pamposhtur në dy ndeshjet e para.
Malisheva pati edhe një mundësi nga goditja e dënimit, por që Agon Xhaka nuk e gjeti cakun.
Të besuarit e Bekim Isufit e nisën sezonin me një pikë, pasi xhiron e kaluar ndeshja me Dritën u shtye.
Në anën tjetër, Ferizaj në xhiron e parë fitoi 2-1 ndaj Feronikelit ’74.