Lehtësohet procesi i votimit nga diaspora, Elezi: Ligji i ri përfshinë dy faza kryesore
Me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, jo vetëm procesi i votimit brenda vendit, por edhe votimi jashtë Kosovës ka pësuar disa ndryshime rrënjësore.
Zëdhënës i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shpjeguar procesin e votimit jashtë Kosovës, që nga koha e aplikimit dhe deri në momentin e votimit.
Sipas Elezit, procesi i votimit jashtë Kosovës përfshin dy faza kryesore, aplikimin për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe votimin për të gjithë personat që arrijnë të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës.
“Procesi i votimit jashtë Kosovës në bazë të ligjit të ri përfshinë dy faza kryesore, e para aplikim për t’u regjistruar jashtë Kosovës. Gjatë fazës së parë, do të ketë një periudhë kohore kur shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë do të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Dy janë mënyrat për të aplikuar për regjistrim: njëra prej tyre do të jetë aktive, behët fjalë për aplikimin për t’u regjistruar përmes platformës elektronike. Mënyra tjetër, por kjo mundësohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, behet përmes postës, në një nga kutitë postare të KQZ-së. KQZ-ja mundëson regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës edhe përmes e-mailit personal”, shpjegoi Elezi.
Sipas tij, në momentin e regjistrimit, votuesit do të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit.
“Në momentin e regjistrimit, votuesit do të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit, fizikisht, në përfaqësi diplomatike apo në hapësira të tyre, të cilat shndërrohen në qendra të votimit, sipas kritereve të KQZ-së, duke dërguar fletëvotimet përmes kutisë postare të KQZ-së, në postën e Kosovës dhe duke dërguar fletëvotimet përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ-ja dhe me lehtësimin e përfaqësive diplomatike, jashtë Kosovës”, ka thënë Elezi.