As komuna e Mitrovicës së Veriut nuk e di datën e hapjes së Urës së Ibrit
Komuna e Mitrovicës së Veriut ndonëse në prill vet kishte marrë vendimin për hapjen e urës së Ibrit, nuk është e njoftuar për datën në të cilën ajo mund të hapet. Në ndërkohë, njohësit e rrethanave të sigurisë po thonë se diskutimi për urën e Ibrit tash ka marrë një kahje tjetër.
Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë, pos ushtarëve të KFOR-it, të shtunën është patrulluar edhe nga pjesëtarë të EULEX-it.
Ata janë parë duke qëndruar kah ana e veriut, përtej pengesave të betonit që bllokojnë qarkullimin e automjeteve.
Kurse në anën e jugut, përgatitjet për hapjen e urës kanë përfunduar. Por ajo që nuk dihet akoma është data e hapjes së saj.
Këtë informatë nuk e ka as komuna e Mitrovicës së Veriut, kuvendi i së cilës muaj më parë mori vendimin për hapjen e urës.
“Definitivisht jo, gati është bërë një vit kur e kemi kryer atë obligim kushtetues, qytetar dhe për qytetin si shenjë dhe i kemi paraprirë disa proceseve”, ka thënë Skender Sadiku – Zv.kryesues i KK në Mitrovicën Veriore.
Por, dikush tjetër po thotë se diskutimi për urën e Ibrit tashmë ka marr kahje tjetër.
“Kjo urë është një simbol dhe tash po kalon gjithçka në domenin diplomatik dhe në atë politik, kurse nëse kthehesh në aspektin e sigurisë çdo gjë është në rregull sepse tre reaguesit në vend asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë moskoordinim apo bashkërendim”, ka thënë Arben Dashevci – Njohës i çështjeve të sigurisë.
Javën e kaluar përfunduan inspektimet e kësaj ure për të parë stabilitetin e saj, dhe rezultatet preliminare të publikuara nga Ministria e Infrastrukturës, tregojnë se ura është është funksionale.
Por hapjen e urës po e kundërshtojnë ashpër shtetet e QUINT-it dhe BE-ja. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se ka rrezik për kërcënim të sigurisë, derisa Brukseli kërkon që për hapjen e urës Kosova të diskutoj me Serbinë në kuadër të dialogut.