Dyshohet se mashtroi qytetarët për ndërtimin e vilave, ndalohet një person
Prokuroria në Prishtinë ka njoftuar se është arrestuar një person që dyshohet se ka mashtruar qytetarë për ndërtimin e vilave.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, iu njofton se pas raportimeve në media dhe ankesave të paraqitura nga qytetarët në Policinë e Kosovës, kjo Prokurori në bashkëpunim me policinë dhe Administratën Tatimore të Kosovës, ka zhvilluar një operacion në pronat e një biznesi në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, kilometri i pestë, në Llapnasellë të Komunës së Prishtinës, lidhur me veprën penale “Mashtrimi”, nga neni 323, paragrafi 5 të KPRK-së.”
Si prova materiale janë sekuestruar laptopë, telefona, dokumente të biznesit dhe kontrata me qytetarë.
“Me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar personi G.G., si dhe në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar prova materiale, lap-topë, telefona, dokumente të biznesit dhe kontrata me qytetarë të shumë për ndërtimin e vilave.”
Prokuroria ka bërë apel te qytetarët që janë dëmtuar nga këto veprime, të paraqiten në Polici ose Prokurori.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë iu bën apel të gjithë qytetarëve të cilët janë dëmtuar nga këto veprime, të paraqiten në Policinë e Kosovës apo Prokurori, pasi synimi kryesor i Prokurorit të Shtetit është luftimi i suksesshëm i krimit, sigurimi i sundimit të ligjit, si dhe sjellja e kryerësve të veprave penale para drejtësisë.”