Dialog për Urën e Ibrit në takimin e radhës në Bruksel, Stano: S’bëhet fjalë për marrëveshje të re

Dialog për Urën e Ibrit në takimin e radhës në Bruksel, Stano: S’bëhet fjalë për marrëveshje të re

Bashkimi Evropian ka sqaruar sot se me diskutimin e çështjes së hapjes së Urës së Ibrit në dialog, nuk do të ketë marrëveshje të reja, por vetëm diskutim për modalitetet e zbatimit të atyre që janë arritur tashmë. U dha edhe një mesazh krerëve të shtetit se Kosova do të mbetet e vetme dhe do të lihet pas, nëse nuk i dëgjojnë këshillat e miqve dhe aleatëve.

Kritikat dhe kundërshtimet e krerëve të shtetit për kërkesën që çështja e Urës së Ibrit të diskutohet në kuadër të dialogut, kanë bërë që Bashkimi Evropian ta sqarojë më shumë kërkesën e vet.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar sot për Gazetën Express se trajtimi i kësaj teme në dialog, nuk nënkupton marrëveshje të reja. Diskutimi, sipas tij, do të jetë vetëm për modalitetet e zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese. Kosova dhe Serbia janë marrë vesh për hapjen e urës në vitin 2014.

“Të trajtosh çështjen e urës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja do të thotë të diskutosh modalitetet e zbatimit të marrëveshjeve të arritura për urën, jo marrëveshjet e reja. Njeriu me të vërtetë duhet të dëgjojë dhe të përpiqet të kuptojë këshillat unanime qëllimmira të të gjithë miqve dhe aleatëve”, ka deklaruar Stano.

Edhe Emisari i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka lënë të kuptohet se diskutimi do të jetë vetëm për zbatimin e marrëveshjes aktuale.

“Se si do të zbatohet marrëveshja për hapjen e urës do të diskutojmë në takimin e ardhshëm në Bruksel”, shkroi Lajçak.

Ai i quajti “mashtruese” pretendimet se BE’ja është kundër hapjes së urës ose për ndryshim pozicioni.

“BE-ja ka theksuar vazhdimisht se çështja e urës së Mitrovicës duhet të diskutohet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës ose ka ndryshuar pozicionin e saj janë mashtruese. Imponimi i një vendimi kundër vullnetit të qytetarëve të prekur nuk kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve. Qeverisja e mirë kupton ndjeshmërinë e pakicës”, shkroi Lajçak.

Reagimi i tij erdhi si kundërpërgjigje ndaj zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i cili tha nuk mund të konsiderohet veprim i njëanshëm zbatimi i një marrëveshje të ndërmjetësuar nga vetë Unioni më 2015 e 2016.

Bislimi përmendi edhe një bisedë me Lajçak, në vizitën e fundit që kishte në Kosovë.

“…ai deklaroi se nëse Kosova nuk preferon ta diskutojë përsëri këtë çështje në Bruksel, rekomandimi i tij ishte që diskutime të brendshme me serbët lokal në veri të zhvillohen, për të adresuar implikimet e mundshme të sigurisë dhe shqetësimet e tyre lidhur me çështjen. Ndërkohë, një partner i QUINT-it, shtoi kërkesën për inspektime teknike”.

Akuzoi BE’në se po e kërcënon Kosovën, duke iu referuar paralajmërimit për masa shtesë.

“Tani BE-ja po kërcënon Kosovën, në rast se ajo zbaton vetë marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE dhe rekomandimet shtesë. Qeveria e Republikës së Kosovës beson fuqishëm se BE-ja promovon më shumë liri të lëvizjes dhe më pak kufij apo mure ndërmjet etnive”, shkroi Bislimi.

Edhe Presidentja Vjosa Osmani ka përsëritur dje qëndrimin e saj kundër trajtimit të kësaj teme në dialog. Sipas saj, një gjë e tillë do të ishte kundërkushtetuese. Deklaratat e zëdhënësit të BE’së, Osmani i cilësoi raciste.

“Nuk ka asnjë arsye dhe kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e çështjes së hapjes së urës në Bruksel, nuk kemi çka e pyesim Serbinë, njësoj sikur ky zëdhënësi, më duket është nga Sllovakia, që nuk e pyet asnjë nga shtetet fqinje kur e kalon urën e vet”, tha Osmani. Stano iu përgjigj sot indirekt, me paralajmërimin se çka do ta gjejë vendin nëse nuk dëgjon këshillat e shteteve aleate.

“Mund të kujtoj vetëm për të gjithë ata që kanë problem të dëgjojnë dhe të kuptojnë se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës (BE, SHBA, NATO, MB…) e kanë thënë shumë qartë dhe pa mëdyshje, se është në interesin e Kosovës të dëgjojë miqtë dhe aleatët përndryshe njeriu rrezikon të mbetet vetëm dhe të lihet pas”, thuhet në përgjigjen e Stanos.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar Qeverisë që të mos vazhdojë me planin e saj pasi kjo i vë në rrezik ushtarët amerikanë që shërbejnë në kuadër të KFOR’it.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, ka thënë ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.

Kjo çështje është ngritur edhe gjatë brifingut me gazetarë në Departamentin Amerikan të Shtetit. Zëdhënësi Vedant Patel ka thënë se Uashingtoni do të bëjë gjithçka që është e mundur që personeli amerikan të jetë i sigurt.

“Më lejoni të them vetëm se ne sigurisht nuk do të hezitojmë të bëjmë gjithçka që nevojitet për të mbajtur – për t’u siguruar që personeli amerikan dhe njerëzit tanë janë të mbrojtur”, ka thënë Patel.

Kundër hapjes së “njëanshme” të urës ka paralajmëruar edhe KFOR’i të cilët kanë thënë se s’do të hezitojnë të veprojnë në rast të tensioneve.

Kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën tha se ‘koordinimi dhe konsultimet” do të vazhdojnë, ndërsa ministri Elbert Krasniqi duke folur për deklaratën e Ambasadorit Hovenier, tha se për kosovarët ushtarët amerikanë janë më të dashurit.

Kosova dhe Serbia kishin rënë dakord për hapjen e urës kryesore mbi Ibër për qarkullim në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, në vitin 2014.

Me të u parapa i ashtuquajturi “rivitalizim i urës”, me qëllim heqjen e të gjitha barrikadave dhe funksionalizimin e urës.

Barrikadat e para në këtë urë u ngritën në vitin 2011 nga serbët vendas, në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në veri.

Në vitin 2014, ato barrikada u zëvendësuan me gardhe prej betoni, të cilat autoritetet lokale në Mitrovicën e Veriut – të udhëhequra nga Lista Serbe – i quajtën “Parku i Paqes”. Ky “park” u hoq në vitin 2016 – kohë kur ura mendohej të hapej për qarkullim.

Në të njëjtin vit, Kosova dhe Serbia ranë dakord për një plan të ri zbatimi, qëllim i të cilit ishte tejkalimi i mosmarrëveshjeve rreth interpretimeve të ndryshme që u bëheshin konkluzioneve të mëparshme.

Sipas planit të ri të zbatimit, hapja e plotë e urës ishte menduar të bëhej në janar të vitit 2017.

Shpërndaje në: