Talebani i Qeverisë Kurti

Talebani i Qeverisë Kurti

Shkruan: Xhafer Shatri 

 

 

Nuk i përcjelli rrjetet sociale, prandaj me vonesë e pashë fjalimin e një zëvendësministri të Kosovës lidhur me misionin e islamistëve shqiptarë.

 

Herifi ishte krejt i qartë : islamistët shqiptarë, sipas tij, e paskëshin detyrë parësore përhapjen dhe dominimin e islamit në Evropë.

 

I pranishëm në atë tubim a takim paskësh qenë edhe kryeshefi i turmës së torollokëve të Kosovës (KTTK), prandaj fjalimi i qeveritarit mund të merret edhe si ‘ledhatim’ poltronist dedikuar kryeshefit të torollakëve, këtij piromani, demagogu e sharllatani par excellence.

Duke e dëgjuar këtë mendermethënë zv.ministër kah flet torollakisht mendova se para se ta hapte vrimën e epërme do të duhej t’i ketë parasysh dy fakte madhore :

Së pari Kosova është shtet sekular, prandaj edhe çdo zyrtar i saj duhet ta ketë parasysh se ai është shërbestar i Kushtetutës e jo i KTTK-së ;

Së dyti, aktualisht fryma konservatore në shtetet më të fuqishme të botës po e ndryshon pamjen dhe përmbajtjen gjeopolitike të globit, dhe tiradat piromane të zyrtarit të Kosovës i shërbejnë më së miri Serbisë.

Prandaj nuk mund ta kuptoj, pse Albin Kurti këtë horrçatip të vetin nuk e ka nxjerrë menjëherë e përveshi nga ndërtesa e Qeverisë.

***

Në pikëpamjen time, ta kthesh apo ta përdorësh Kryeshefin e torollakëve të Kosovës si kombajn elektoral është jo vetëm e pamoralshme por edhe e rrezikshme.

E shoh të nevojshme t’ia përkujtoj kryeministrit të Kosovës dhe lexuesve të mi një mori intervistash të Haris Silajgjiq, kryeministrit të dikurshëm dhe Ministrit të Jashtëm e poashtu të dikurshëm të Bosnje e Hercegovinës kur, përsëritshëm, flet qartë e pa dorashka për tragjedinë e atdheut dhe popullit të vet.

Në pyetjet e gazetarëve : A kishte religjioni i boshnjakëve ndikim në qasjen e Evropës ndaj luftës në Bosnje ?

Pergjigja e parafrazuar : Po, shumë bile. Kryetari i Francës, François Miterand, ani se socialist, e shihte religjionin e ne boshnjakëve si rrezik për Evropën, të njëjtën qasje kishin edhe konzervatorët britanikë dhe jo vetëm këta…

Jam krejt i sigurt se kryeshefi i torollakëve të Kosovës e di këtë fakt, por megjithatë e intensifikon propagandën e tij të mykët mesjetare duke helmuar me gjuhën e tij të pistë një mjedis të stërlodhur nga robëria e gjatë dhe nga pasojat e një lufte e paslufte dërrmuese.

Duke qenë i detyruar kësaj radhe, të merrem me kryeshefin e torollakëve të Kosovës m’u kujtua fjalimi i një hoxhe të mirëfilltë arab, i cili talibanët internacionalistë i kamxhikos me të vërteta dërrmuese :

Telefonin me të cilin komunikoj me familjen time, nuk e kanë zbuluar muslimanët;

Veturën të cilën e ngas, nuk e kanë zbuluar muslimanët,

Teshat që i veshim, që nga kapelja e deri te këpucët nuk i kanë sajuar e as qepur muslimanët.

Klimatizimi me të cilin ne po freskohemi në këtë xhami, është shpikur e prodhuar nga jo muslimanët;

Atëherë çka po më flisni për xhenetin…?

https://www.facebook.com/fatjon.merturi.39/videos/7046951695388842/?rdid=O58R1HWMErJCEKu9

***

Muhamed Zukorliqin, myftiun e Sanxhakut dhe njërin prej personaliteteve më të shquara të Evropës bashkëhohore, para tri vitesh e helmuan shërbimet sekrete ruso-serbe, sepse ai ishte me krejt qenien kundër tipave siç është kryeshefit i torollakëve të Kosovës ; ishte i ditur, ishte patriot dhe luftonte natë e ditë për ta kultivuar islamin tradicional e evropian, në thelb të të cilit është toleranca, mirëkuptimi dhe respekti maksimal ndaj cilitdo religjion ;

E vranë sepse ishte i vetmi autoritetet religjioz në krejt Evropën që kishte zotësinë, vullnetin dhe vendosmërinë për ta reformuar fenë islame dhe për ta nxjerrë atë nga këneta mesjetare dhe nga kthetrat e pista të autoriteteve të rrejshme siç është edhe kryeshefi i turmës së torollakëve të Kosovës, që nuk meriton as emrin me ia përmendë.

Sepse aktualisht askush sa tipat siç është KTTK, madje as Serbia vetë, nuk paraqet rrezik më të madh ndaj përpjekjevee të forcave atdhetare që po luftojnë për forcimin e sovranitetit të Kosovës dhe mbrojtjen e integritetit territorial të saj.

Definitivisht, ai që nuk e kupton se synimi i kryeshefit të torollakëve, po edhe i Serbisë, është hamasizimi i Kosovës dhe krijimi i kaosit gjithandej ndër shqiptarë, ai nuk merr vesh as nga feja, as nga jeta, as nga politika e as nga historia.

Shpërndaje në: