Hapja e urës së Ibrit: Kurtit i has “sharra në gozhdë”, tash flet për koordinim me aleatët
Ura e Ibrit ka sjellur një përplasje tjetër mes Qeverisë së Kosovës dhe aletatëve ndërkombëtarë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi po kërkojnë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti koordinim me ta dhe të mos merrën vendime që mund të krijojnë tensione, shkruan Periskopi.
Dy ditë më parë ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier e përcolli edhe një mesazh për Kurtin se hapja e Urës së Ibrit “do të rrezikonte ushtarët amerikanë në kuadër të KFOR-it”.
Nuk kaloi shumë, ky mesazh pati rezultat dhe Kurti u zbut. Kryeministi i vendit Albin Kurti gjatë mbledhjes dje me ministrat e tij u shpreh se do të vazhdojnë koordinimin me partnerët rreth çështjes së urës së Ibrit.
“I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, rezultatet përkatëse të këtyre raporteve të cilat I kemi ndarë dje menjëherë edhe me komandantin KFOR-in, Gjeneralin Ulutaş dhe me ekipin e tij, në frymën e konsultimeve dhe koordinimit të vazhdueshëm që kemi. Qeveria e Republikës së Kosovës, dhe unë si kryeministër, besojmë thellësisht se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë, si dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet. Ne do të vazhdojmë konsultimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës nuk është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë”, tha Kurti gjatë mbeldhjes.
Ndërsa në anën tjetër presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila pati një vizitë në ShBA, u shpreh se “asnjëherë nuk është thënë s janë kundër hapjes së Urës së Ibrit“.
“Në takimet e mia me SHBA asnjëherë nuk është thënë se janë kundër hapjes së urës, përkundra janë pro zbatimit të marrëveshjeve në Bruksel, të cilat kanë paraparë hapjen e urës. Po sikurse për çdo temë të sigurisë kërkojnë që institucionet e Kosovës dhe aleatet tanë të sigurisë dhe ta hartojnë se bashku planin e zbatimit, i cili i merr parasysh vlerësimi e sigurisë të Kosovës dhe të aleatëve tanë dhe ju siguroj se në shumicën e rasteve ato janë identike. Dhe në bazë të këtyre vlerësimeve të përbashkëta të përzgjidhet momenti më i volitshme në mënyrë që çështja e urës dhe hapja e saj të jetë sukses i përhershëm, jo sukses i momenti, por sukses si përhershëm”, ka thënë Osmani.
E zëdhënësi i Komisionit të BE-së, Peter Stano, ndonëse e pranon se urat janë për bashkim të njerëzve, ditë më parë ka thënë se ajo e Ibrit është “çështje shpërthyese dhe problematike”. Prandaj,tha se duhet të zgjidhet përmes dialogut.
“Urat zakonisht i bashkojnë njerëzit. Fatkeqësisht, situata që kemi në veri të Kosovës dhe në Mitrovicë është rezultat i një numri të madh rrethanash të vështira politike. Prandaj kemi thënë gjithmonë se është një çështje shpërthyese, një çështje problematike dhe si të gjitha çështjet problematike duhet të zgjidhet me dialog. Sepse nëse keni një problem, atëherë e zgjidhni me dialog, jo me vendime të njëanshme”, kishte thënë Stano në një intervistë për median serbe N1./PERISKOPI