Veç edhe dy javë afat – Për shkak të një vendimi të Hekuran Murati, komunat e Kosovës ‘mbesin’ pa hartuar buxhetin për vitin 2025
Për shkak të një vendimi nga Ministria e Financave Punës dhe Transfereve komunat e Kosovës rrezikojnë të ‘mbesin’ pa hartimin e buxhetit për vitin 2025, shkruan Periskopi.
Krejt kjo sepse Ministria e Financave që drejtohet nga Hekuran Murati nuk ka lëshuar qarkoren e dytë buxhetore, mbi të cilën komunat hartojnë buxhetin për vitin e ardhshëm.
Kjo ka ngritur shqetësim te kryetarët e komunave të Kosovës e që për këtë çështje tashmë ka afat vetëm edhe dy javë.
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë për Periskopin se Ministria e Financave, Punës dhe Tranfereve ende nuk i ka dhënë dritën e gjelbërt komunave për hartimin e buxheteve komunale për vitin 2025.
“Pra, kjo ministri duhet ta lëshoj qarkoren e dytë buxhetore ku komunat pranojnë kufijtë buxhetor dhe në bazë të këtyre kufijve buxhetor komunat hartojnë projekt buxhetin komunal “tha ai.
Sipas tij pas hartimit të buxhetit komunal, sipas legjislacionit në fuqi, komunat këto projeksione buxhetore duhet t’i diskutojnë me qytetar dhe me 01 shtator, këtë vit ose me 02 shtator sepse është ditë e hënë, kryetari duhet të e dorëzoj për shqyrtim në kuvend komunal.
“Komunat janë tejet të shqetësuara që MFPT ende nuk e ka lëshuar qarkoren e dytë buxhetore dhe që afati i hartimit të projeksioneve buxhetore për vitin 2025 si dhe konsultave me qytetar është shumë i shkurtër”, tha Ibrahimi për Periskopin.
Ai në cilësinë e Drejtorit Ekzekutiv të Asociacionit të Komunave të Kosovës ka kërkuar nga MFPT të jetë më konstruktiv në raport me komunat sepse pengesat që po shkaktohen nga kjo ministri në teren qytetarët po pësojnë.
“Nuk dihet se përse ky veprim nga MFPT po ndodhë në raport me komuna”, tha ai./Periskopi