Qeveria nuk ka datë për hapjen e urës!
Departamenti Amerikan i Shtetit i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës të mos bëjë veprimet të njëanshme të cilat do ta rrisnin potencialin për dhunë dhe që do ta vënë në rrezik popullatën vendase si dhe ushtarët e KFOR-it, përfshirë amerikanët të cilët po punojnë për të mbështetur paqen dhe sigurinë në Kosovë. Por, kryeministri Kurti ka thënë se hapja e urës së Ibrit nuk është kundër askujt dhe as kundër partnereve të Kosovës. Pavarësisht se raportet e testimeve të urës e lejojnë hapjen e saj për qarkullimin automjeteve, Qeveria nuk ka treguar një datë për hapjen e saj.
Bashkësia ndërkombëtare po e sheh me shqetësim insistimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës mbi lumin Ibër pavarësisht kundërshtimit të SHBA-së BE-së dhe KFOR-it të cilët po kërkojnë që ura të mos hapet në këtë kohë. Duke iu përgjigjur paralajmërimeve të ambasadorit të SHBA-së, Jeffrye Hovenier, i cili tha dje se një veprim i tillë i Qeverisë shkon kundër frymës bashkëpunuese dhe se do t’i rrezikonte ushtarët e KFOR-it veçanërisht ata amerikan, kryeministri Albin Kurti tha se hapja e urës nuk është kundër partnereve të Kosovës, por është e drejtë ligjore e Kosovës.
“Me komandantin e KFOR-it mbrëmë kemi biseduar edhe për hapjen e Urës mbi Ibër, të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë. I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, rezultatet përkatëse që i kemi ndarë dje menjëherë edhe me komandantin e KFOR-it dhe ekipin e tij në frymën e konsultimeve dhe koordinimeve të vazhdueshme. Qeveria dhe unë besojmë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet. Do të vazhdojmë diskutimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e urës s’është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”, tha Kurti.
Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit, përmes një reagimi i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të mos marr vendime të njëanshme dhe për çështjen e urës së Ibrit të diskutohet në proces të dialogut në Bruksel.
“Hapja e urës për lëvizjen e automjeteve tani rrit potencialin për dhunë dhe vë në rrezik popullatën vendase si dhe ushtarët e KFOR-it – përfshirë amerikanët – të cilët po punojnë për të mbështetur paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos ndërmarrë këtë veprim të pakoordinuar, të njëanshëm dhe ta diskutojë këtë çështje në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në reagimin e DASH-it.
Por, Qeveria këmbëngulë se nuk po bënë veprime të njëanshme për hapjen e urës së Ibrit. Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, tha se nuk ka mbetur asgjë për të diskutuar në Bruksel me Serbinë për çështjen e hapjes së urës mbi lumin Ibër.
“Hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë nuk është vendim i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës dhe as çështje e mbetur pezull apo e pazgjidhur e procesit të dialogut, por është kërkesa kryesore e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë e të ndërmjetësuar nga BE-ja në vitet 2015 dhe 2016. Për më tepër, plani implementues i BE-së i datës 5 gusht 2016, e konsideron hapjen e urës si “Simbol i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet serbëve të Kosovës, shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera”, tha Bislimi.
Bislimi shtoi se për inspektimet teknike në urën e Ibrit kishin marrë rekomandim nga një partner i vendeve të QUINT-it gjatë një takimi kohë më parë. Ani pse për një gjë të tillë nuk ka qëndrim zyrtar të BE-së.
“Në vizitën e fundit të emisarit Lajçak në Kosovë më 19 qershor, gjatë takimit që e patëm, mbi urën e Ibrit ai deklaroi se nëse Kosova nuk preferon ta diskutojë përsëri këtë çështje në Bruksel, rekomandimi i tij ishte që diskutime të brendshme me serbët lokal në veri të zhvillohen, për të adresuar implikimet e mundshme të sigurisë dhe shqetësimet e tyre lidhur me çështjen. Ndërkohë, një partner i QUINT-it, shtoi kërkesën për inspektime teknike. Ne i kemi ndjekur të dyja këto rekomandime. Tani BE-ja po kërcënon Kosovën, në rast se ajo zbaton vetë marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE dhe rekomandimet shtesë”, tha Bislimi.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se nwse Qeveria e Kosovës vazhdon me veprime të njëanshëm për hapjen e urës së Ibrit mund të zgjerohen masat ndëshkuese ndaj Kosovës. BE-ja i ka thënë RTV21 se planifikon që për statusin e urës së Ibrit të diskutohet në Bruksel në takimin e radhës midis Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë, dje Qeveria publikoi raportin preliminar tw testimeve dhe matjeve të urës së Ibrit në të cilin konstatohet se ura e Ibrit i plotëson të gjitha kushtet për qarkullimin e automjeteve. Por, Qeveria ende nuk ka një datë se kur do ta hapë urën për qarkullimin e automjeteve.
‘’Ura është momentalisht në gëlqerosje dhe përgatitje të tjera që janë pjesë e një plani të Qeverisë. Nuk mund ta them sot këtu një datë të saktë se kur do të hapet ura”, tha Krasniqi.
Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Oezkan Ulutash, mbrëmë ka zhvilluar takim me kryeministrin Albin Kurti të cilin i ka kërkuar që të mos bëjë veprime të njëanshme. Në një deklaratë të lëshuar pas takimit të së martës, KFOR-i ka thënë se nuk heziton të veprojë ndaj çfarëdo zhvillimi që mund të ketë.