Nuk i pëlqeu çka tha, Daçiq kërkon arrestimin e Bekim Haxhiut
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq ka kërkuar arrestimin e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu,pasi ky i fundit dha një deklaratë për vrasjen e policit serb nga Faton Hajrizi.
“Glorifikimi më monstruoz i terrorizmit dhe i vrasjes së policit serb, nga Bekim Haxhiu, është vetëm dëshmi se urrejtja dhe dhuna ndaj çdo gjëje që është serbe nuk ka kufi. Nuk mund të them se jam i befasuar nga thirrja e Haxhiut për të vrarë policët serbë, as që e ka thënë publikisht. Do të habitesha vetëm nëse një deklaratë e tillë monstruoze do të mbetej pa reagim nga komuniteti ndërkombëtar dhe të gjitha institucionet e tij përkatëse”, ka thënë Daçic.
Ndryshe, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, së bashku me qindra mijëra qytetarë të Kosovës, morën pjesë në varrimin e Faton Hajrizit, i cili iu dha lamtumira e fundit në një ceremoni të mbajtur në Klinë të Ulët.
Ai tha se Faton Hajrizi është personi i parë shqiptar që shkoi nga Kosova dhe vrau një serb në territorin e Serbisë, duke nënvizuar se deri tek ky rast, të gjithë policët, ushtarët dhe paramilitarët serbë janë vrarë në Kosovë.