DASH: Hapja e urës së Ibrit në këto momente do të rriste gjasat për dhunë – Qeveria mos ta marrë këtë veprim

DASH: Hapja e urës së Ibrit në këto momente do të rriste gjasat për dhunë – Qeveria mos ta marrë këtë veprim

Hapja e Urës mbi lumin Ibër – që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut – për qarkullim të automjeteve në këto momente do të rriste gjasat për dhunë, ka thënë Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH).

DASH i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, që drejtohet nga Albin Kurti, që “të mos ta ndërmarrë këtë veprim të pakoordinuar”.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, ka thënë për “Zërin e Amerikës” se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), nuk mbështesin “asnjë lëvizje për të ndryshuar statusin aktual të urës së Mitrovicës në këto momente”.

“Hapja e urës për trafikun e automjeteve tani rrit potencialin për dhunë dhe vë në rrezik popullatën vendase si dhe ushtarët e KFOR-it – përfshirë amerikanët – të cilët po punojnë për të mbështetur paqen dhe sigurinë në Kosovë”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit.

DASH-i i bën thirrje qeverisë së Kosovës të mos ta ndërmarrë këtë veprim që e konsideron si “të pakoordinuar dhe të njëanshëm”.

ShBA-të i bëjnë thirrje qeverisë që çështja e hapjes së urës mbi lumin Ibër të diskutohet në kuadër të dialogut, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Ky është një pozicion që ne e ndajmë me partnerët tanë të QUINT-it – Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar – si dhe me BE-në dhe NATO-n. Dhe është një qëndrim që e kemi bërë shumë të qartë, si publikisht ashtu edhe privatisht”, shtoi.

Objektivi i ShBA-ve, thotë DASH-i, është që të punojnë me Qeverinë e Kosovës për të krijuar kushtet në të cilat ura të mund të hapet për qarkullimin e automjeteve.

“Prandaj, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”, përfundon deklarata.

Shpërndaje në: