Durmishi: Nuk ka datë të saktë për hapjen e urës, po e presim raportin final
Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës, Hysen Durshmi nuk ka dhënë ndonjë datë për hapjen e urës mbi lumin Ibër.
Ai ka bërë me dije që sapo të vendosin për datën do t`i njoftojnë mediat.
Durshmi ka treguar se tani janë në pritje të raportit final të testimit të urës.
Sipas tij, ky raport do të publikohet brenda disa ditëve.
“Ne po e presim raportin final, i cili do të vije shpejt brenda disa ditëve që ta kemi raportin final, mirëpo nuk presim që do të këtë ndonjë ndryshim, sepse metodat që janë përdorur për testime janë metoda shumë të avancuara, instrumente të cilat janë përdoru për testime janë shumë të avancuara dhe nuk do të ketë ndonjë ndryshim. Ura mbi lumin Ibër është stabile që të qarkullojnë jo vetëm këmbësorët por edhe automjete. Kur ta kemi datën do të ju njoftojmë juve mediave”, ka thënë ai, raporton EO.
Ai ka treguar se dokumenti i publikuar dje ka qenë vetëm një draft-raport.
“Në fakt detyrë e Ministrisë sonë ka qenë që përmes një kontrate që e kemi pasur ta përcaktojmë stabilitetin mbi lumin Ibër dhe ne i kemi zhvilluar të gjitha ato procedura, testime dhe dje e kemi marr raportin preliminar, draft-raportin i cili në bazë të matjeve që janë bërë, në bazë të testimeve që janë bërë konstaton se ura është stabile pa as një kufizim ngarkesash në urë, në bazë të gjitha normave të projektimit sipas normave të Euro-kodit”, ka thënë Durmishi.