“Xehe të pakta e shumë punëtorë..” – Kurti në opozitë thoshte se një vend pune i minatorit nëntokë i hap 4 vende të reja pune mbi tokë
Kryeministri i vendit, që sot i kritikoi minatorët për punën e tyre, dikur vlerësonte lartë kontributin e tyre. “Një vend pune i minatorit nën tokë, i hap katër vende pune tjera mbi tokë”, kështu shprehej sa ishte në opozitë i pari i vendit, Albin Kurti. Por, që gjatë qeverisjes së tij minatorët kanë mbetur për më shumë se dy muaj pa rroga.
Këta minatorë madje janë zhvlerësuar sot nga kryeministri në mbledhjen e Qeverisë.
Kurti teksa ndau lajmin se janë ndarë 4 milionë euro për këtë ndërmarrje, ai thumboi minatorët se nuk janë duke punuar mjaftueshëm.
“Duket se ka tepër shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”, tha Kurti.
Albin Kurti që sot qëndron në krye të ekzekutvit, sa ishte opozitar luftonte për kushtet e minatorëve, duke vlerësuar punën e tyre.
“Trepça na nevojitet për zhvillimin tonë ekonomik, sepse një vend pune i minatorit nën tokë, i hap katër vende pune tjera mbi tokë”, thoshte ai.
Ai në opozitë kritikonte partitë e tjera që, sipas tij, kishin lënë ndërmarrjen publike “Trepça” pas dore.
Kurti deklaronte se mosinvestimi në “Trepçë” është krim.
Ai madje atë kohë e kuptonte edhe mos-produktivitetin e minatorëve, duke e arsyetuar se nuk kanë kushte.
“Nuk mund të kemi minatorë me produktivitet të duhur në këto kushte kështu, mesjetare. Mosinvestimi në “Trepçë” është një ndër krimet më të mëdha në Kosovën e pasluftës sepse nuk është krim vetëm kur bën diçka keq por edhe kur s’bën diçka mirë e, e ke përgjegjësinë për diçka të till, ”, thoshte ai.
Ndryshe, minatorët e Trepçës kanë paralajmëruar protestë para objektit të Qeverisë të enjten, si shkak i shprehjeve të pakënaqësisë për mos-ekzekutim të rrogave për më shumë se dy muaj.
Minatorët janë në grevë pasi nuk kanë marrë pagat e tyre. Shumë prej punonjësve edhe publikisht kanë treguar se gjendja e tyre financiare dhe e familjeve të tyre është rënduar dhe kanë hyrë në borxhe.
Një minator, në kushte anonimiteti, kishte ndarë një bisedë me gruan e tij, ku bisedojnë për blerjen e disa ilaçeve për fëmijën e tyre të sëmurë.