Krejt JO`të e Albin Kurtit ndaj Amerikës
Paralajmërimet për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin të autmojeteve nga Qeveria që drejtohet nga Albin Kurti janë bërë shkak për një ‘përplasje’ të fortë ndërmjet aleatit kryesore të vendit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qeverisë së Kosovës, shkruan Periskopi.
SHBA përmes ambasadorit të saj në Kosovë, Jeff Hovenier kanë ngritur shqetësimet e saj se ka rrezik që hapja e urës mbi Ibër mund të eksalojë situatën e sigurisë, duke thënë se nuk duan që ushatrët e tyre në kuadër të KFOR të u rrezikohet jeta nga veprimet e njëanshme të Qeverisë Kurti.
Diplomati amerikan në një intervistë për Radio Evropa e Lirë vuri në dukje se këtë çështje e marrin shumë seriozisht dhe i bën thirrje qeverisë së Kosovës që të marrë parasysh këto shqetësime.
“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën. Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”.
Tutje ambasadori Hovenier tha se SHBA-ja është sfiduar nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e tij në disa aspekte.
“Duhet të them se cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte në disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si ai trajton veriun dhe si ai e menaxhon dialogun”.
Ai shtoi se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë në veri e zvogëlojnë entuziazmin e SHBA-së për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj euroatlantike. Hovenier vuri në dukje se SHBA është sfiduar nga qëndrimet e Albin Kurtit.
“Nuk mund të flas se si na konsideron ai. Mund të them vetëm se nga këndvështrimi i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, jemi sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij në disa mënyra”.
Por kjo nuk është hera e parë që Kurti nuk ka dëgjaur këshillat e miqve të Kosovës e që kanë të bëjnë kryesisht me verpimet e Qeverisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit.
Fillimisht konvertimi i targave ilegale serbe që operonin në veri kishin ngjallur shqetësime serioze nga ShBA-të por edhe vendet e tjera të QUINT.
Në tetor të vitit të kaluar Hovenier kishte ngritur shqetësimin për këtë proces.
Ai në një intervistë për RTV KIM kishte thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendojnë se afati për regjistrimin e veturave në targa RKS nga serbët duhet të zgjatet.
Hovenier ishte shprehur se SHBA-të nuk janë kundër këtij vendimi dhe e shohin si të arsyeshëm dhe në përputhje me marrëveshjet e Brukselit, por në anën tjetër kishte thënë se afati duhet të zgjatet.
“Është e qartë se deri më tani nuk ka pasur shumë kërkesa për ta bërë këtë (ri-regjistrimin e automjeteve). Qeveria e Shteteve të Bashkuara beson se vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i lejuar njerëzit që jetojnë në Kosovë të drejtojnë automjete që janë të regjistruara në Kosovë dhe vendosja e targave të Kosovës nuk është një kërkesë e paarsyeshme dhe se ky vendim është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit, por ne i kemi shprehur shqetësimet tona që në fillim dhe vazhdojmë t’i shprehim për afatin kohor të zbatimit.”, kishhte thënë diplomati amerikan
“Mesazhi im për qeverinë e Kosovës ishte se ne besojmë se duhet më shumë kohë, se nuk jemi entuziastë për afatin e shkurtër, sepse kjo është e vështirë për njerëzit dhe është e lodhshme. Shpresojmë të ketë një shtyerje. Kjo ishte pjesë e bisedës tonë, nuk mund të them nëse do të ndodh apo jo, sepse më pyetet se çfarë do të ndodh, por është vendim i qeverisë së Kosovës”, kishte thënë ai.
Qeveria që drejtohet nga Albin Kurti kishte vazhduar me vendime të tjera sa i përket veriut të vendit e që njëra nga to ishte edhe vendimi për ndalimin e dinarit për serbët në Kosovë.
Ky veprim vetëm sa kishte krijuar e thelluar krizën ndëmjet SHBA dhe Kosovës.
Si kurrë më parë diplomati amerikan ishte i ashpër në deklarimet e tij.
“Vendimi i Kosovës për dinarin ka ndikuar në marrëdhëniet tona”, kishte thënë ai ndër të tjera.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, kishte thënë se vendimi i Kosovës për ta zbatuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit serb, ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës.
“Më lejoni të theksoj sa problematik është ky moment, saqë qeveritë tona nuk duket se po punojnë në partneritet me njëra-tjetrën. Prandaj, dua që të shmangim gjëra të tjera si këto”, tha Hovenier për gazetarët.
“Ne kemi shpresuar se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti do të angazhohej, siç bëjnë partnerët, për ta zgjidhur këtë çështje së bashku, në vend se të merren veprime në mënyrë të njëanshme… ne jemi të shqetësuar që
Qeveria e Kurtit nuk e ka bërë këtë. Çfarëdo sugjerimi se gjërat janë në rregull, se të gjithë ne pajtohemi me njëri-tjetrin, nuk është aspak i vërtetë. Ne jemi të shqetësuar dhe të frustruar dhe mendoj se toni i ndihmëssekretarit O’Brien e pasqyron këtë shumë qartë”, kishte deklaruar Hovenier.
Pak ditë pas ndalimit të dinarit, Qeveria që drejtohet nga Albin Kurti mori edhe një vendim tjetër që ‘irritoi’ vendet mike të Kosovës.
Mbylli disa posta në Veri të vendit.
Veprim që ulë oreksin për ta mbështetur Kosovën ishte një nga deklaratat e ambasadorit amerikan.
“Rruga për ta arritur këtë është duke punuar së bashku me ne, me partnerët tanë evropianë, me prijësit e BE-së, me prijësit e NATO-s. Por, vetëm një shembull. Hiç më larg se javën e kaluar, me këtë aksion të pakoordinuar kundër Postës, e patë se si BE-ja, SHBA-ja, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia, të gjitha i ngritën shqetësimet e tyre”.
“Shqetësohem se veprimet e tilla ulin oreksin dhe zbehin zotimin – jo zotimin – por, entuziazmin për ta mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj”, ka deklaruar ai gjatë një interviste për Radio Evropa e Lirë.
Marrëdhëniet e Kosovës me njërin nga vendet më mike të Kosovës SHBA, kishte ngjallur reagime të shumta nga partitë opozitare në Kosovë, shoqëria civile dhe të tjerët.
Kërkesa e tyre vazhdimisht ishte që për çdo veprim sidomos në veriun e Kosovës për shkaqe sigurie, duhet të këtë një koordinim me vendet e BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përndryshe Ura e Ibrit ende nuk është hapur dhe se çka do të prodhojë kjo situatë në aspektin e sigurisë dhe marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me vendet aletate pritet të shihet. /Periskopi/
https://www.periskopi.com/hovenier-jemi-te-shqetesuar-me-afatin-per-targat-shpresojme-te-zgjatet/
https://www.evropaelire.org/a/hovenier-vendimi-i-kosoves-per-dinarin-ka-ndikuar-ne-marredhnie/32821091.html
https://albanianpost.com/hovenier-per-mbylljen-e-postave-serbe-ne-veri-veprim-qe-ule-oreksin-per-ta-mbeshtetur-kosoven/
https://a2news.com/rajoni-bota/kosova/aktualitet/hovenier-i-shqetesuar-hapja-e-ures-se-ibrit-ne-ket-i1126102