Portali “serioz” boshnjak e konfirmon se e ndryshoi disa herë lajmin kundër Periskopit dhe Nacionales
Portali “serioz” siç e quante pushtetit, “Slobodna Bosna”, e ka konfirmuar publikisht e zyrtarisht se e kanë ndryshuar disa herë artikullin kundër Periskopit dhe Nacionales. Në atë artikull, dy mediat e Kosovës akuzoheshin se financoheshin nga Serbia.
Pasi avokatja e Nacionales iu drejtua portalit boshnjak me kërkesë zyrtare që të kërkohet falje, para një padie eventuale, portali boshnjak e ndryshoi tekstin duke larguar emrat e Periskopit dhe Nacionales.
Nuk vonoi shumë, afër 2 orë, dhe emrat u rikthyen, pasi ky zhvillim u bë tejet i diskutuar në Kosovë. Pra, një media profesionale e serioze, me fjalët e pushtetit, që akuzon, heq, dhe më pas kthen, emrat e dy mediave të cilat i akuzon për lidhje me Serbinë.
Në artikullin që e kanë botuar sot, portali boshnjak e konfirmon se avokatja e Nacionales nga Banja Lluka, Jovana Kisiq, zyrtarisht ka dorëzuar kërkesën që lajmi të largohet. Portali fantom, e konfirmon se e kanë ndryshuar tekstin, por duke pretenduar se kjo paska qenë “pjesë e një plani të qëllimshëm”.
“Kështu, redaksia jonë ka pranuar një kërkesë nga përfaqësuesja e Nacionales, avokatja e Banja Lukës, Jovana Kisiq, për të publikuar një përgënjeshtrim, që është një nga standardet profesionale që ne e bëmë. Por avokatja nga Banjalluka kishte një kërkesë tjetër. Gjegjësisht, ajo kërkoi që nga tekstet e e Slobodna Bosnës të hiqen, sipas saj, “pjesët e diskutueshme” që kanë të bëjnë me klientët e saj”, thuhet në artikullin e sotëm.
“Duke qenë se dyshonim për qëllime të liga dhe abuzime nga ana e avokates së respektuar dhe klientëve të saj, e bëmë këtë për një moment për të ekspozuar planin e tyre. Domethënë, jo shumë kohë pasi u zhdukën nga teksti “detajet e diskutueshme”, media kosovare Nacionale shfrytëzoi rastin për të akuzuar “Slobodna Bosnia” dhe RTK-në si media të rreme që fshijnë tekstet e tyre”, thuhet më tutje.
Në fakt, se nuk ka pasur asnjë plan nga ky portal i dënuar për shpifje e me mijëra lajme të rrejshme, e konfirmon edhe Emaili që avokatja e Nacionales pranoi nga Slobodna Bosna. Aty konfirmohet se do të largohen emrat, dhe falënderohet avokatja për bashkëpunimin.
Portali boshnjak pretendon se kjo ka qenë formë shantazhi, megjithatë në dispozitat ligjore, kur dikush dëshiron të hartojë padi, fillimisht duhet të synojë që me mirëkuptim të përmirësohet gabimi i bërë. Rrugë e cila është ndjekur edhe në rastin konkret.
Më pas, portal sërish i jep hapësirë një “disidenti” të ashtuquajtur serb, i cili drejton akuza ndaj Nacionales dhe avokates që është në Bosnje dhe Hercegovinë.
Largimi i emrave dhe ndryshimi disa herë i tekstit nga ky portal boshnjak, nxiti reagime të shumta edhe në Kosovë.