Kurti takohet me komandantin e KFOR-it, hapja e urës e Ibrit tema kryesore e diskutimit

Kurti takohet me komandantin e KFOR-it, hapja e urës e Ibrit tema kryesore e diskutimit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është takuar me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash, ku ndër temat kryesore ishte hapja e urës kryesore mbi Ibër.

Sipas Kurtit, hapja e Urës së Ibrit është një gjë e drejtë, e nevojshme dhe e dobishme, teksa bëhet e ditur se kreu i qeverisë e njoftoi komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen mbi të.

“Kryeministri Kurti e njoftoi komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe rezultatet nga raporti preliminar i vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, të dorëzuar nga operatori ekonomik tek Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”.

“Në kuadër të hapave të nevojshëm të ndërmarrë nga Qeveria për hapjen e urës, ai rikujtoi dhe takimin publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, të organizuar më 8 gusht nga komuna e Mitrovicës së Veriut e ku të pranishëm ishin qytetarë nga komuniteti serb, organizata joqeveritare dhe përfaqësues nga niveli qendror e lokal si dhe KFOR-i dhe EULEX”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Më tej, në njoftimin e qeverisë thuhet se Kurti u shpreh i bindur se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit, paqja e siguria janë të gjitha të mundura bashkë dhe të duhura.

“Në këtë takim u diskutua dhe rreth ballafaqimit me zjarret në këto ditë të nxehta vere dhe ndihmës që KFOR-i do të mund të ofronte në shuarjen e tyre që nisën me fusha e arritën maleve”.

“Kryeministri Kurti, që shoqërohej nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, e falënderoi komandantin e KFOR-it, Ulutas për bashkëpunimin dhe komunikimin e rregullt”, thuhet në njoftim.

Shpërndaje në: