SBASHK-u i reagon MASHT-it: Gabim i përsëritur për tekstet shkollore

SBASHK-u i reagon MASHT-it: Gabim i përsëritur për tekstet shkollore

SBASHK ka reaguar ndaj Ministrisë së Arsimit për vendimin për subvencionimin e librave shkollorë për nxënësit edhe këtë vit.

Sipas SBASHK-ut, MASHT-i ka përsëritur gabimin, derisa vitin e kaluar ka pasur probleme.

Po ashtu, kjo sindikatë ka thënë se nuk janë marrë parasysh këshilltar e as kritikat e tyre.

Reagimi i plotë:

SBASHK-u, por edhe të tjerët, kishin kritikuar arsyeshëm vendimin e vitit të kaluar lidhur me shpërndarjen e teksteve shkollore përmes librarive dhe subvencionimin për to në xhirollogaritë e prindërve.

Ky vendim i gabuar krijoi probleme dhe shtatori e tetori i vitit të kaluar shkollor i gjeti një numër të konsideruar të nxënësve ende pa të gjitha tekstet shkollore. SBASHK-u këtë kundërshtim e ka përsëritur edhe në takimin e kryetarit Jasharaj me zëvendësministrin Taulant Kelmendi duke e lutur që mos të veprohet njëjtë me tekstet shkollore, por që ato të dërgohen me kohë në shkolla nga botuesit.

U pa se MASHTI nuk ka dëgjuar kritikat e arsyeshme e as këshillat tona, të Këshillit të prindërve e as të palëve tjera dhe do ta përsërisë gabimin. Konsiderojmë se Këshilli i prindërve duhet ta thotë fjalën e vet lidhur me këtë veprim të gabuar e të përsëritur të MASHTI-t sepse ata janë zëri i prindërve të Kosovës, ndërsa ne do të vazhdojmë të jemi zë i anëtarësisë sonë në kërkim të dialogut dhe realizimit të kërkesave.

Zonja Nagavci duhet të merret me këto kërkesa, që në mënyrë të shkruar prapë ia kemi ripërsëritur dhe ia kemi dorëzuar zëvendësministrit Kelmendi në takimin me ftesën e tij. Për këshillat e saj se çfarë duhet të bëjë SBASHK nuk kemi nevojë se ne veprojmë bazuar në zërin dhe kërkesat e anëtarësisë. Të gjithë duhet ta arsyetojmë e respektojmë besimin e atyre që përfaqësojmë.

 

 

Shpërndaje në: