Dy punëtorë të lënduar në punishten e firmës së biznesmenit Bedri Gllareva që fitoi tenderin në 22 milionësh në Ministrinë e Shëndetësisë
Në një vendpushishte në magjistralen Prishtinë- Ferizaj, ku punëkryes është kompania BM Group SH.P.K, rreth një muaj më parë janë lënduar dy punëtorë.
Firma “BM Group SH.P.K” është pronë e biznesmenit Bedri Gllareva, e cila është e përfolur për përfshirje në shumë tenderë.
Burimet e Gazetës Express bëjnë të ditur se njëri prej personave të lënduar ka qenë në gjendje shumë të rëndë.
Pas këtij rasti, Inspektorati i Punës ka ndërprerë punimet në atë vendpunishte.
Përveç kësaj, në të njëjtin vend është rrëzuar edhe një vinç i peshave të rënda, që ka rrezikuar punëtorët aty.
Express posedon fotografi nga vendi i ngjarjes.
Redaksia ka dërguar pyetje në adresë të Inspektoratit të Punës, mirëpo deri në publikimin e artikullit, nuk kanë kthyer përgjigje.
Gazeta Express e ka pyetur kompaninë se çfarë masa ka marrë kompania pas këtyre incidenteve, trajtimin e punëtorëve dhe familjeve të tyre dhe përmirësimin e kushteve të punës, por deri më tani BM Group SH.P.K. s’ka kthyer përgjigje.
BM Group SH.P.K., muaj më parë është përfolur si kompani e favorizuar nga Ministria e Shëndetësisë për renovimin e Qendrës së Mjekësisë Emergjente në QKUK.
“Favorizim. Standarde të dyfishta. Pranim i punonjësve jashtë kritereve. Prekje e dokumentit me implikim deri në 2.2 milionë euro. Janë vetëm disa prej akuzave publike që janë deponuar për tenderin 22 milionësh të Ministrisë së Arben Vitisë, punë kjo që po i bëhet gati firmës së biznesmenit Bedri Gllareva. Insajderi sjell detaje të prapaskenave të kësaj afere”, kishte raportuar Insajderi muaj më parë për përfshirjen e kompanisë së Bedri Gllarevës në këtë tender publik.
Në janar të këtij viti Ministria e Shëndetësisë që drejtohet nga njeriu i afërt i Kryeministrit Albin Kurti, Ministri Arben Vitia kishte bërë shpalljen publike që po do ta vazhdojë renovimin e Qendrës së Mjekësisë Emergjente në QKUK.
Aty ishin planifikuar të shpenzohen mbi 22 milionë euro në këtë punë. Në garë kishin hyrë tetë kompani, ose grupe të kompanive (konzorciume) për të marrë kontratën e kësaj pune milionëshe.
Por, jo të gjithë janë ndarë të kënaqur me mënyrën se si kishte ecur procesi që drejtohet, së paku në letra, nga shefi i tenderëve në dikasterin e shëndetësisë, Berat Marmullaku.
Ato ditë në Organin Shqyrtues të Prokurimeve (OShP) ishin deponuar pesë ankesa, derisa katër prej tyre ende janë në shqyrtim. Njëra është konsideruar e papranuar për shkaqe teknike.
Por, ku është thelbi i ankesave dhe në çfarë akuza janë lëshuar ata në lidhje me këtë punë prej mbi 22 milionë eurosh? Favorizim, është kryefjala e së paku njërit prej ankuesve që edhe ka deponuar prova që pretendon që e mbështesin akuzën.
Gazeta Insajderi e kishte pyetur Ministrinë e Shëndetësisë për pretendimet për favorizim e standarde të dyfishta, por ky dikaster qeveritar s’ishte përgjigjur.
“Theksojmë se autoriteti kontraktues (Ministria e Shëndetësisë) ka përdorur standarde të dyfishta gjatë vlerësimit të vlerësimit të tenderëve lidhur me trajtimin e Kërkesës 2 të përshkruar tek neni 8.1 & 8.2 të FTD-se, sa i përket pranimit si të vlefshëm të Garancionit të operatorit ekonomik të shpallur fitues “BM Group SHPK”, ndërsa atë të dorëzuar nga kompania jone, jo. Autoriteti kontraktues ka konstatuar se garancioni i ofruar nga “BM Group SHPK” i përmbush kushtin për të qenë i pakushtëzuar, edhe përkundër se gjuha e përdorur ne letër referencen e shkruar për operatorin e rekomnaduar per kontrate është në kuptimin e njëjtë, respektivisht kur Banka ka theksuar se, citojmë: ”… bazuar ne politikat e matjes dhe menaxhimit të riskut lidhur me mbështetjen financiare…”, Andaj ne kuptimin e shprehjes konsiderojmë se shprehja ka kuptimin e njëjtë sikurse edhe tek garancioni ynë bankar, kur thuhet se: ”pas analizës të bërë nga analistët tanë të kredive”’, thuhej në ankesën e “Ada Consulting Group” SHPK.
Gazeta Express ka pyetur të hënën firmën e biznesmenit Bedri Gllareva, “BM Group Sh.P.K” rreth këtij tenderi.
Ata kanë konfirmuar se MSH ua kishte dhënë kontratën.
“Pas përfundimit të procedurave përkatëse të përcaktuara me legjislacionin në fuqi për prokurimin publik, është bërë njoftimi mbi vendimin e autoritetit kontraktues, dhe me datë 02.04.2024, me anë të shkresës, përkatësisht letrës standarde për tenderuesin e suksesshëm, njoftohemi se tenderi ynë me çmimin e dorëzuar në ofertë prej 19,943,163.85 euro, dhe rrjedhimisht na është dhënë kontrata përkitazi me këtë aktivitet të prokurimit” theksonin ata.
Pas ankesës së kompanive s’ka një vendim.
“Pas kësaj, jemi njoftuar se palët e pakënaqura me vendimin e autoritetit kontraktues, kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP), mundësia përkatësisht afati për ushtrimin e këtij mjeti juridik është i përcaktuar me Ligjin Nr. 04/L-042 për prokurimin publik në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-237, me Ligjin Nr. 05/L-068, si dhe Ligjin 05/L-092, (tutje: Ligji) neni 109, dorëzimi i të cilës duhet të bëhet në afatin prej dhjetë (10) ditëve pas datës së njoftimit për dhënien e kontratës.
Referuar situatës së rastit konkret, ndaj njoftimit të Ministrisë përkitazi me njoftimin për dhënie të kontratës është ushtruar ankesë, mirëpo edhe përkundër se kanë kaluar me shumë se 120 ditë, nga dita e njoftimit për dhënie, nga OSHP-ja jemi ne pritje te vendimit” theksojnë ata.