Minatorët të enjten në protestë para Qeverisë për mosekzekutimin e pagave
Minatorët e Trepçës do të dalin në protestë të enjten para Qeverisë së Kosovës me kërkesën që t’u jepen pagat për gati tre muaj të papaguar.
Kështu ka njoftuar Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, e cila tha se situata e tyre është e rënduar dhe do të shfrytëzojnë protestën paqësore si mjetin demokratik për të kërkuar “bukën e gojës”.
“Mosekzekutimi i pagave i ka dërguar minatorët në një situate krize për ekzistence, andaj si mjet për të kërkuar bukën e gojës për vete dhe familjen e tyre ka mbetur të protestuarit si mjet ligjor dhe demokratik”, thotë Sindikata.
Njoftimi i plotë:
Të nderuar qytetar të Republikës së Kosovës
Minatorët e Trepçës së Kosovës kanë marrë vendim për të organizuar proteste paqësore për shprehjen e pakënaqësive për padrejtësitë e vazhdueshme që tashmë janë bërë të ditura, pra mosrealizimi i pagave për minatorët e Trepçës për më shumë se dy muaj.
Protesta do të mbahet në Prishtinë pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës, ditën e enjte, me datë 15.08.2024 nga ora 12:00.
Marshimi do të fillojë nga sheshi Zahir Pajaziti-Prishtinë deri pranë objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Kjo protestë reflekton kërkesën e vetme të minatorëve, e që është pagesa e pagave të papaguara për gati tre muaj.
Ta dini që situata e minatorëve është rënduar tej mase, mosekzekutimi i pagave i ka dërguar minatorët në një situate krize për ekzistence, andaj si mjet për të kërkuar bukën e gojës për vete dhe familjen e tyre ka mbetur të protestuarit si mjet ligjor dhe demokratik. Me fat!