Deputetja e LDK-së: Në Klinikën Emergjente nuk ka karrige për pacientët, pushteti propagandon me “Rastin Dehari”

Deputetja e LDK-së: Në Klinikën Emergjente nuk ka karrige për pacientët, pushteti propagandon me “Rastin Dehari”

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka pretenduar se Spitalet e Kosovës po përballen me mungesë të pajisjeve elementare, teksa sipas saj, pushteti i Albin Kurtit po vazhdon propagandën me rastin e Astrit Deharit dhe hapjen e urës së Ibrit.

Në një postim në rrjetin social Facebook, deputetja e LDK-së, e ka quajtur Kurtin demagog që degradoi gjithçka në Kosovë.

“Në Klinikën Emergjente nuk ka karrige për pacientë. Spitalet e Kosovës po përballen me mungesë të pajisjeve elementare, mungesë të barnave esenciale, madje ankesa e fundit e një familjari të pacientit më shkruan se, po mungojnë karriget në Klinikën Emergjente për bartjen e pacientëve, por pushteti i Qeverisë Kurti 2 vazhdon me propagandën me rastin e supershfrytëzuar elektoralisht, “Rastin Dehari”, si dhe me hapjen e Urës së Ibrit”, ka shkruar deputetja.

Ajo ka shkruar se kjo qeveri e drejtuar nga kryedemagogu Albin Kurti, e degradoi shëndetësinë, ekonominë, arsimin, e çdo gjë tjetër; e futi Kosovën në sanksione, e izoloi në marrëdhëniet diplomatike me Perëndimin, dhe na mbyti me propagandë.

“O kryedemagog, pajisi spitalet me gjërat esenciale! Dorëzohu dhe ik në shtëpi, se nuk je për qeverisje! Nuk mbahet shteti me rima poetike e patetike!”, ka shkruar deputetja e LDK-së.

Shpërndaje në: