Miftaraj: Në vend se të akuzojnë, VV-ja të kërkojë përgjegjësi nga institucionet që vetë i udhëheq
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, i konsideron të papranueshme dhe primitive akuzat e partisë në pushtet në drejtim të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë për moszbardhjen e vdekjes së ish-aktivistit të VV-së, Astrit Dehari, ndonëse e pranon se institucioni më i lartë ndjekës, ka dështuar ta trajtojë si duhet këtë rast.
Për akuzat që Lëvizja Vetëvendosje i bëri në drejtim të AKI-së, Prokurorisë Speciale e Policisë së Kosovës, Miftaraj ka thënë se fillimisht kjo parti duhet të jap përgjegjësi për disa raste që kanë ndodhur në institucionet që udhëhiqen nga VV-ja. Shembull merr zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit e djegien në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“Është e pa pranueshme dhe qasje shumë primitive të shohim përfaqësues të një partie në pushtet që shfrytëzojnë hapësirat e Prokurorisë Speciale për të akuzuar të njëjtit dhe për të ngritur një sërë akuzash ndaj një numri të madh të institucioneve. Është fakt qe Prokuroria Speciale ka dështuar për ta trajtuar rastin Dehari në mënyrë të pavarur profesionale dhe brenda një afati të arsyeshëm kohor, është koha kur kjo prokurori duhet të jap një epilog këtij rasti në mënyrë që të sqaroheshin të gjitha rrethanat se si ka ndodhur ky rast”, ka thënë Miftaraj.
Miftaraj ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje i ka në duar të gjithë mekanizmat shtetëror, duke përfshirë AKI-në e Policinë e Kosovës. Andaj, ka thënë se nga udhëheqësit e këtyre institucioneve duhet t’u kërkohet përgjegjësi.
“Nuk duhet harruar asnjëherë fakti që sot drejtori i AKI-së udhëhiqet nga një person që është emëruar nga kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani, në vend që të dalin dhe të bëjnë show para publikut, të manipulojnë masat me rastin Dehari, do të duhej që të kërkonin llogari nga vetë drejtori i AKI-së nëse personat të cilët së paku dyshohen të apostrofuar nga partia në pushtet kanë qenë të përfshirë në rastin Dehari. Njëjtë do duhej të ndodhte edhe me Policinë e Kosovës, ku është një drejtor i cili është emëruar nga vetë qeveria Kurti apo edhe me Shërbimin Korrektues që menaxhohet nga Ministria e Drejtësisë. LVV dje kishte shumë pyetje që lidhen me vetveten, me dikaster që udhëhiqen nga vetë ministrat e Vetëvendosjes dhe në vend që të afronin përgjigje, filluan me suazën e kontaminimit të ambientit në shoqërinë tonë duke ngritur akuza ose duke bërë skandale të tilla të cilat më së shumti po e dëmtojnë sistemin e drejtësisë, besimin e qytetarëve si dhe rehabilitimin e qytetarëve të cilët në baza ditore po bombardohen me lajme të tilla”, ka thënë tutje Miftaraj.
Miftaraj ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka dështuar që ta transformojë sistemin prokurorial në vend dhe t’i shkatërrojë siç thotë grupet brenda këtij sistemi.
“Po flasim për një sistem prokurorial që nuk ka vullnet të zgjedh vetë kryeprokurorin e shtetit, obligim kushtetues, obligim në bazë të ligjit dhe kërkesës së partnerëve ndërkombëtarë dhe OJQ. Ne kemi pritur që Qeveria përmes mekanizmave që i ka në dorë, qoftë përmes reformës në drejtësinë të reformojë Sistemin Prokurorial dhe të shkatërrohen këto grupe brenda këtij sistemi që e kanë kap sistemin në 10 vitet e fundit. Pak ka shpresë që Sistemi Prokurorial do të reflektojë me menaxhmentin aktual apo me kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale i cili nuk ka vullnet apo dijeni dhe profesionalizëm për të ushtruar kompetencat e tij në bazë të Kushtetutës dhe të Ligjit”, u shpreh Miftaraj./eo