IKD: Qeveria dhe Kuvendi shpërfillin Gjykatën Kushtetuese
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me mosmiratimin e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, i cili sipas tyre paraqet një shkelje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Mosmiratimi i Ligjit për Pagat në Sektorin Publik brenda afatit të përcaktuar sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, paraqet një shkelje të këtij aktgjykimi dhe shpërfillje të Gjykatës Kushtetuese,” thuhet në njoftimin e IKD-së.
IKD shton se me vendimin e datës 23 dhjetor 2023, Gjykata Kushtetuese shpalli disa dispozita të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik si të papajtueshme me Kushtetutën e Kosovës dhe urdhëroi Kuvendin që të bëjë ndryshimet e nevojshme brenda një afati prej gjashtë muajsh nga hyrja në fuqi e aktgjykimit më 1 shkurt 2024.
“Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese ishte një hap i rëndësishëm për të siguruar që reforma në sektorin publik të përfshinte kompensimin e drejtë për përvojën dhe angazhimin profesional të punonjësve. Gjykata rrëzoi dispozitën ku dhjetëra-mijëra shërbyesve civilë i’u përgjysmua e drejta e shtesës së përvojës së punës, nga zero pikë pesë përqind (0.5%) në zero pikë njëzetë e pesë përqind (0.25%) në vit, duke e përgjysmuar shtesën e përvojës së punës për pesëmbëdhjetë (15) vitet e para, rrjedhimisht lartësinë e pagës për të gjitha kategoritë e funksionarëve/zyrtarëve/nëpunësve që hyjnë në fushëveprimin e ligjit të kontestuar, përkatësisht duke përcaktuar shtesë të përvojës dyfish më të ulët në krahasim me legjislacionin paraprak sa i përket pesëmbëdhjetë (15) viteve të para të përvojës së punës” theksoi IKD.
Pavarësisht kësaj, Qeveria dhe Kuvendi nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret për të përmbushur detyrimet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese.
“Është shqetësuese dhe e papranueshme që, më shumë se gjashtë muaj pas shpalljes së aktgjykimit, asnjë nga këto institucione nuk kanë ndërmarrë masa për të adresuar problemet e evidentuara,” njofton IKD.
IKD i rikujton Qeverisë dhe Kuvendit se mosmiratimi i këtij projektligji ka pasur dhe vazhdon të ketë pasoja të rënda për të drejtën e pagesës për dhjetëra mijëra shërbyes civilë.
“Këta punëtorë janë të privuar nga shtesa në bazë të përvojës së punës, e cila para hyrjes në fuqi të ligjit për pagat, pasqyronte përvojën e tyre dhe angazhimin profesional. Mosinicimi i ligjit ka pasoja të drejtpërdrejta në mirëqenien dhe stabilitetin social të mijëra familjeve që mbështeten në këto paga për të siguruar nevojat e përditshme,” njofton IKD.
IKD ka kërkuar që Kuvendi dhe Qeveria të nisin procedurat për ndryshimet e kërkuara nga Gjykata Kushtetuese dhe të përfshijnë të gjitha palët e interesuara në procesin e përmirësimit të ligjit.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha institucionet dhe individët në Republikën e Kosovës. Mosrespektimi i këtyre vendimeve përbën një shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe krijon një praktikë të rrezikshme që do të dëmtojë stabilitetin e rendit kushtetues dhe të shtetit ligjor,” përfundoi IKD.