Qeveria sot pranon raportin për stabilitetin e Urës së Ibrit, KFOR e as QUINT nuk ndryshojnë qëndrim – Çka do të bëhet me të?

Qeveria sot pranon raportin për stabilitetin e Urës së Ibrit, KFOR e as QUINT nuk ndryshojnë qëndrim – Çka do të bëhet me të?

Pavarësisht kundështimeve nga aleatët ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës po insiston hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë.

Qeveria, sot pritet ta pranojë raportin e përpiluar nga kompania që ka bërë matjet dhe testimet e urës, të dihet nëse ura është mjaftueshëm stabile.

Kështu ka thënë zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi

Nesër del raporti. Na e dërgon kompania, e na (Ministria) e publikojmë”, tha Durmishi për mediumin “Kallxo.com”.

Sipas tij, rezultatet e këtij raporti do të jenë kyçe për vendimin përfundimtar mbi rihapjen e urës.

Përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it në Kosovë, kanë thënë publikisht se nuk mbështesin hapjen e urës në këtë kohë.

Bashkimi Evropian, ka thënë se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë.

Kjo është kundërshtuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila deklaroi se “një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë”.

E, KFOR-i ka thënë disa herë në ditët e fundit se nuk do të hezitojë të veprojë nëse vëren veprime afër urës që mund të cenojnë sigurinë e qytetarëve.

Aktualisht Ura e Ibrit është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për makina, dhe në të patrullojnë karabinierët italianë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Çka thuhet në marrëveshjen e BE-së për hapjen e Urës së Ibrit?

Me titull: Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian – Zbatimi i Marrëveshjes për Urën e Mitrovicës, në dokument thuhet se “tani që është në horizont zbatimi i plotë, Ura e Mitrovicës do të bëhet simboli i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet serbëve të Kosovës, shqiptarëve të Kosovës dhe komuniteteve tjera“.

Tutje theksohet se rivitalizimi i urës, si dhe i rrugës Mbreti Petar, do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë njerëzve të Mitrovicës Veriore dhe Jugore dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim.

“U ra dakord që do të lëshohet leja e mbetur e ndërtimit dhe se rivitalizimi i urës së Mitrovicës dhe rrethinës së saj do të fillojë më 14 gusht 2016. Ura e Mitrovicës do të hapet për këmbësorët dhe automjetet në të dy drejtimet në përputhje me rekomandimet e vlerësimi teknik dhe dizajni arkitektonik ranë dakord të dyja palët në qershor 2015″.

“Punimet e ndërtimit të urës do të kryhen duke hyrë në kantier përmes rrugës hyrëse jugore. Ura do të hapet për të gjithë trafikun më 20 janar 2017“.

Po ashtu në atë kohë ishte planfikuar që një grup pune do të monitorojë dhe shqyrtojë rregullisht së bashku me të dy kryetarët e komunave kushtet mbizotëruese politike dhe të sigurisë në komuna gjatë dhe pas procesit të rivitalizimit.

“Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i në përputhje me mandatet e tyre përkatëse do të sigurojnë një mjedis të sigurt dhe të sigurt. Ata do të konsultohen për masat e duhura të sigurisë, duke përfshirë edhe dy kryebashkiakët”, thuhet në dokument.

Por, pas gjithë kësaj, gjërat në veri kishin ndryshuar dhe rritja e dhunës dhe pasigurisë, kishte bërë që Ura e Ibrit të mos hapej.

Më 2018, punimet e parapara nga BE-ja në urën e Ibrit kishin përfunduar dhe kostoja e projektit llogaritej të jetë rreth 1.5 milion euro.

“Punimet në urën e Mitrovicës kanë përfunduar dhe ura duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve pa vonesa apo pengesa të mëtejshme”, thuhej në raportin e BE-së në vitin2019.

Ura, megjithatë, nuk u hap asnjëherë për qarkullim.

Në raportin e BE-së të vitit 2023, për çështjen e urës u shtua fjalia: “Për çfarëdo vendimi për hapjen e urës duhet të ketë pajtim dhe koordinim në dialog”.

Pikërisht në fillim të vitit 2023, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut kishte marrë një vendim për hapjen e urës.

Ata kishin thënë se vendimin e bazojnë në Marrëveshjen e Brukselit që kishte paraparë hapjen e urës në vitet 2015-2016./Periskopi

Shpërndaje në: