KFOR: Çdo vendim për urën mbi Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja

KFOR: Çdo vendim për urën mbi Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja

Qeveria e Kosovës ka thënë se synon të rihapë për qarkullim të automjeteve urën mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare, dhe atë të veriut me shumicë serbe.

Si rezultat i kësaj autoritetet kosovare ditë më parë testuan fuqinë mbajtëse të urës mbi lumin Ibër, si hap para hapjes së saj për qarkullim të automjeteve.

E insistimi për hapjen e kësaj ure është përballur me kundërshtim të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kanë kërkuar edhe një hap shtesë, një diskutim të ri në dialogun Kosovë-Serbi.

Një gjë të tillë po e kërkon edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR. Një zyrtar i KFOR-it në një përgjigje për Telegrafin se “nuk duam të spekulojmë për ndonjë skenarë në të
ardhmen” në rast të hapjes së kësaj ure dhe largimit të pranisë së saj nga ura mbi lumin Ibër.

“Ne nuk do të spekulojmë për ndonjë skenar hipotetik. Qëndrimi ynë për këtë çështje ka qenë i qartë, transparent dhe konsistent gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Tutje KFOR ka theksuar se vazhdon të ketë një prani të përhershme në urën mbi lumin Ibër.

“Misioni i KFOR-it mban një prani të përhershme në urë dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth për të garantuar stabilitet dhe siguri, për të mirën e të gjitha komuniteteve lokale. Ne nuk do të hezitojmë të trajtojmë çdo zhvillim që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, në respekt të plotë me mandatin tonë të OKB-së”, thuhet tutje në përgjigjen e KFOR-it.

Vendet e QUINT-it pjesë e së cilit është Franca bashkë me Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Italinë, më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.

Ndryshe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se pret hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, më 14 ose 15 gusht, si dhe instalimin e liderëve të rinj serbë në këtë vend nga agjencitë e huaja, pa ofruar ndonjë dëshmi.

Presidenti serb ka pretenduar që figurat e reja serbe, që sipas tij, do të instalohen në Kosovë, “do t’i portretizojnë si trima edhe pse nuk janë, dhe do të përpiqen t’i ndajnë nga Beogradi” dhe që ata t’i përgjigjen kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

“Më lejoni t’ju them menjëherë se nuk do të funksionojë”, ka thënë Vuçiq në një konferencë për media.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.

Shpërndaje në: