Firma e biznesmenit Bedri Gllareva e favorizuar në tenderin 22 milionësh për renovimin e Emergjencës, çfarë akuza ishin deponuar në OSHP

Firma e biznesmenit Bedri Gllareva e favorizuar në tenderin 22 milionësh për renovimin e Emergjencës, çfarë akuza ishin deponuar në OSHP

Favorizim. Standarde të dyfishta. Pranim i punonjësve jashtë kritereve. Prekje e dokumentit me implikim deri në 2.2 milionë euro. Janë vetëm disa prej akuzave publike që janë deponuar për tenderin 22 milionësh të Ministrisë së Arben Vitisë, punë kjo që po i bëhet gati firmës së biznesmenit Bedri Gllareva. Insajderikishte publikuar detaje të prapaskenave të kësaj afere.

Në janar të këtij viti Ministria e Shëndetësisë që drejtohet nga njëriu i afërm i Kryeministrit Albin Kurti, Ministri Arben Vitia kishte bërë shpalljen publike që po do ta vazhdoi renovimin e Qendrës së Mjekësisë Emergjente në QKUK.

Ka planifikuar që t’i shpenzojë deri në mbi 22 milionë euro në këtë punë. Në garë kanë hyrë tetë kompani, ose grupe të kompanive (konzorciume) për të e marrë kontratën e kësaj punë milionëshe.

Jo të gjithë janë ndarë të kënaqur me mënyrën se si po ecën procesi që drejtohet, së paku në letra, nga shefi i tenderëve në dikasterin e shëndetësisë, Berat Marmullaku.

Por, ku është thelbi i ankesave dhe në çfarë akuza janë lëshuar ata në lidhje me këtë punë prej mbi 22 milionë eurosh? Favorizim, është kryefjala e së paku njërit prej ankuesve që edhe ka deponuar prova që pretendon që e mbështesin akuzën.

Kjo kompani po pretendon që Ministria e drejtuar nga Arben Vitia po e favorizon firmën e biznesmenit Bedri Gllareva, “BM Group Sh.P.K”.

Ministra veçse ka nxjerr letrën standarde që për këtë punë e ka rekomanduar bash këtë kompani.

Favorizim, standarde të dyfishta- akuzat e tenderuesit kundër Ministrisë e firmës së Gllarevës

Në prill të këtij viti, pas disa muajsh kur u hap tenderi 22 milionësh për vazhdimin e renovimit të  Qendrës së Mjekësisë Emergjente në QKUK, Ministria e Shëndetësisë doli me atë që njihet si letra standarde e që tregon se kujt po i bëhet gati kontrata.

Aty është rekomanduar për kontratë firma e biznesmenit Bedri Gllareva. Oferta e “BM Group Sh.P.K” sipas procesverbalit të hapjes së ofertave është gati 20 milionë euro.

Por, kompania që po ankohet që e eliminoi Ministria e Vitisë, sipas tyre padrejtësisht, kjo ministri ka përdorur standarde të dyfishta e e ka favorizuar biznesmenin Gllareva.

Gazeta Insajderi e ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë për pretendimet për favorizim e standarde të dyfishta, por deri tash nga ky dikaster qeveritar nuk ka marrë asnjë koment.

“Theksojmë se autoriteti kontraktues (Ministria e Shëndetësisë) ka përdorur standarde të dyfishta gjatë vlerësimit të vlerësimit të tenderëve lidhur me trajtimin e Kërkesës 2 të përshkruar tek neni 8.1 & 8.2 të FTD-se, sa i përket pranimit si të vlefshëm të Garancionit të operatorit ekonomik të shpallur fitues “BM Group SHPK”, ndërsa atë të dorëzuar nga kompania jone, jo. Autoriteti kontraktues ka konstatuar se garancioni i ofruar nga “BM Group SHPK” i përmbush kushtin për të qenë i pakushtëzuar, edhe përkundër se gjuha e përdorur ne letër referencen e shkruar për operatorin e rekomnaduar per kontrate është në kuptimin e njëjtë, respektivisht kur Banka ka theksuar se, citojmë: ”… bazuar ne politikat e matjes dhe menaxhimit të riskut lidhur me mbështetjen financiare…”, Andaj ne kuptimin e shprehjes konsiderojmë se shprehja ka kuptimin e njëjtë sikurse edhe tek garancioni ynë bankar, kur thuhet se: ”pas analizës të bërë nga analistët tanë të kredive”’, thuhet në ankesën e “Ada Consulting Group” SHPK.

Kjo kompani sqaron se rëndom të gjitha banka nuk japin kredi apriori pa bere analizë të riskut, që bëhet nga analistët e kredive brenda secilës bankë, “ndaj, banka e operatorit të rekomanduar për kontrate ka theksuar se, citoj: ”Dëshirojmë t’ju informojmë se Banka merr ne konsideratë…”, konsiderojmë se kjo shprehje ka kuptimin e njëjtë sikurse edhe tek garancioni ynë bankar, kur thuhet se: “,…rrjedhimisht “…Banka do të konsideroj”.

“Pra autoriteti kontraktues gjatë vlerësimit të çështjes së njëjtë, ka favorizuar operatorin ekonomik “BM Group SHPK”, ne raport me ne si OE, duke përdorur standarde të dyfishta në trajtim, gjatë vlerësimin e kërkesave sipas nenit 68 të LPP-se (Ligji i Prokurimit Publik)”, thuhet në ankesë.

Kompania ankuese është lëshuar në sqarime teknike dhe të tjera, por në fund duke ia lënë në dorë vlerësimin e situatës OShP-së, konstaton edhe se “pas vlerësimit të dosjes kemi gjetur se OE “BM Group” SHPK i shpallur fitues, as për së afërmi nuk i plotëson kushtet për tu shpallur fitues ne tenderin ne fjale, dhe i njëjti duhet te shpallet i papërgjegjshëm”.

Akuza për firmën e Gllarevës: Ka prezantuar punonjës që nuk i plotësojnë kriteret

Në ankesën e deponuar në OShP e që është e gjatë 21 faqe, kompania është lëshuar edhe në përmendje të emrave- punonjësve të cilët firma e Bedri Gllarevës i ka prezantuar si ekspertë sipas kërkesave të tenderit 22 milionësh në fjalë, por që sipas këtij dokumenti nuk i plotësojnë ato kërkesa.

“lidhur me këtë kërkesë dhe dëshmitë e dorëzuara nga …BM Group SHPK… ky operator ka prezantuar një liste me gjithsej 59 punëtorë, prej te cilëve 12 nga ata, si: Bajram Kiqina, Tafil Kiqina, Sami Bilalli, Shenjestar Kastrati, Hasan Gashi, Shemsi Gllareva, Albert Hoti, Shpend Shala, Asdren Kelmendi, Islam Shala, Bleron Neziri, Florim Berisha, nuk kane fare kontrate ose marrëveshje punë për këtë projekt. Pra, BM Group SHPK nuk ka prezentuar kontrate të punese siç është kërkuar në kërkesë e lartë cekur, ndërsa për punëtorin Ejub Bërbatovci, kontratën qe e kanë prezantuar, e njëjta nuk është e nënshkruar”, thuhet në ankesë dhe shton kompania se sipas tyre “këto fakte mund të vërtetohen duke verfikuar ofertën/tenderin e tij dorëzuar në platformën e e-prokurimit tek aktiviteti i prokurimit respektiv”.

Ankuesi është lëshuar edhe në përmendjen e gjashtë emrave, që sipas tyre “BM Group SHPK” i ka prezantuar si punonjës kundër kërkesave të këtij tenderi pasi që “kërkesat kanë qenë specifike për teknike më diploma të shkollës së mesme ose certifikatë nga ndonjë institucion i akredituar nga Autoriteti Kombëtare i Kualifikimeve dhe jo Bachalor, përderisa operatori ekonomik i rekomnaduar për kontrate ka ofertuar me personat ne vijim që nuk janë me kualifikime sipas kerkesës”, thuhet në ankesë.

Këtë vit Vëllezërit Lulzim e Naim Sallahu janë ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për tu përballur me akuzat për keqpërdorim me prokurim publik dhe falsifikim të dokumenteve në lidhje me projektin e rikonstruimit të segmentit të rrugës rajonale Prizren – Prevallë.

Prokuroria Speciale të njëjtin e ka ngarkuar me veprën penale të falsifikimit të dokumenteve. Në mesin e provave përmes të cilave Prokuroria do të tentojë të provojë pretendimet e aktakuzës janë diplomat universitare, CV – të dhe referencat e personave N.M, I,F, B.K dhe L.G, por edhe të personave të tjerë.

“Lidhur me këtë kërkesë dhe dëshmitë e dorëzuara nga “BM Group” SHPK, në pozitën e Inxhinierit të Diplomuar të Ndërtimtarisë –Hidro, ka prezantuar z.Muhadin Morina, CV e të cilit nuk është nënshkruar nga vet inxhinieri konform kërkesës së lartë-cekur, por është nënshkrua në një formë elektronike (duke përdor programe si PDF, power point apo te ngjashme). Kjo mos-përputhje e nënshkrimit që është bërë tek kontrata për angazhim të inxhinierit në fjalë”, thuhet në ankesën e deponuar për tenderin 22 milionësh të Ministrisë së Shëndetësisë.

“BM Group” SHPK, në pozitën e Ekspert i Sigurisë, ka prezantuar z. Muhamet Hamiti, i cili posedon një certifikatë të lëshuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila është lëshuar me date 17.05.2017, Por, duke pasur parasysh kornizën ligjore respektivisht… rezulton se e njëjta është e skaduar dhe jo-valide”, thuhet tutje në ankesë.

Kompania ankuese është lëshuar edhe në akuza që ngrenë dyshime serioze për zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, duke u fokusuar se si firmës së Bedri Gllarevës iu pranua sigurimi i tenderit- garancionit.

“Nga provat e prezantuar shihet se operatori ekonomik i rekomanduar për kontrate nuk ka plotësuar këtë udhëzim shume te rëndësishëm që lidhet drejtpërdrejt me vlerësimit dhe krahasimit te ofertave te operatoreve ekonomik. Kjo e bën te pamundur qe oferta e operatorit ekonomik “BM Group” SHPK të mund të vlerësohet dhe krahasohet me ofertat tjera, përderisa nuk janë ëe bazë e barabartë të krahasimit”, thuhet në ankesë.

Ajo çfarë është e çuditshme, është fakti se autoriteti kontraktues e quan “devijim te vogël”…madje e merr guximin të prek dhe ndërhyjë në ofertën “BM Group” SHPK,… Por harron se pesha që i është dhënë këtij kriteri të vlerësimit “Garancioni i Punimeve”, prej 10%, konsiderohet të jete rreth 2.25 milionë euro”, thuhet në ankesë.

Gazeta Insajderi e ka pyetur për krejt këto pretendim kompaninë “Bm Group” shpk, dhe të njëjtit nuk kanë komentuar gjatë, as edhe për faktin që akuzat në ankesën publike janë që është favorizuar nga ministria e Arben Vitisë, dhe se për më shumë ka prezantuar staf që nuk i plotëson kriteret.

“Duke qenë se shpallja ka qenë publike, ne si kompani serioze kemi aplikuar në këtë aktivitet të prokurimit/tender, ku nga ana e autoritetit kontraktues, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë jemi shpallur fitues. Pas publikimit të njoftimit palët e pakënaqura i kanë shfrytëzuar mundësitë e tyre ligjore sikurse parashihet me legjislacionin përkatës në fuqi, aktualisht jemi në pritje të vendimit nga ana e organeve përkatëse, gjegjësisht Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik” i ka thënë Gazetës Insajderi përmes e-mailit pronari i firmës, Bedri Gllareva.

Ai nuk i ka komentuar, edhe pse është pyetur veç e veç për pretendimet e akuzat publike të ngritura në ankesë.

“Sa i përket çështjeve të tjera përfshire pretendimet për raporte me të apostrofuarit, të njëjtat janë absolutisht të pa qëndrueshme”, është përgjigjur biznesmeni Gllareva./ Insajderi

Shpërndaje në: