Avokatja e të dyshuarit për planifikim të sulmit në Vjenë tenton të ulë seriozitetin e rastit
Avokatja e të dyshuarit kryesor për një plan të dështuar për sulm në një koncert të yllit botëror, Taylor Swift në Vjenë, ka tentuar të dielën të ulë seriozitetin e planit, dhe ka thënë se klienti i saj vetëm “ka luajtur me ide”.
Autoritetet austriake kanë thënë më herët gjatë javës se i dyshuari është me origjinë nga Maqedonia e Veriut dhe i kanë kërkuar informacione Shkupit për të.
Tri koncertet e planifikuara të Swiftit këtë javë janë anuluar, pasi autoritetet austriake kanë zbuluar se një 19-vjeçar ka qenë duke planifikuar kryerjen e një sulmi vetëvrasës, i inspiruar prej grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS).
Koncertet ishte planifikuar të mbaheshin në një stadium futbolli me mijëra njerëz.
Hetuesit austriakë kanë thënë se i riu e ka kryer së fundmi një betim ndaj IS-it dhe është rrëfyer plotësisht pasi policia ia ka bastisur shtëpinë, ku ka gjetur lëndë kimike dhe pajisje që përdorin sulmuesit për të kryer sulm me bombë.
Avokatja Ina-Christin Stiglitz, ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuers se, i riu ka pasur kontakt me IS-in vetëm muajin e kaluar.
“I ka interesuar”, ka thënë ajo, duke sugjeruar që klienti i saj nuk ka pasur me të vërtetë synim kryerjen e një sulmi serioz.
“Vetëm ka luajtur me ide”, ka thënë ajo.
“Ai thotë se bomba nuk ka qenë e kualitetit të duhur, nuk do të funksiononte”.
Sipas avokates, i dyshuari ka bërë kërkime online se si krijohet një bombë.
Në mesin e tre adoleshentëve të arrestuar prej policisë austriake është edhe një 17-vjeçar, për të cilin Stiglitz ka thënë se klienti i saj e përshkruan si “fqinjin dhe mikun më të mirë”.
Fqinjët e 19-vjeçarit, në qytezën e vogël Ternitz, janë shprehur të tronditur me arrestimin e tij, duke e konsideruar si fëmijë të rezervuar, por të shoqërueshëm.
Ata kanë thënë se njëra prej sinjaleve se ai mund të jetë radikalizuar ka qenë se kohën e fundit e ka rritur mjekrën.
Avokatja ka thënë se ai e ka rritur mjekrën “për t’u dukur me stil”.
Kancelari austriak, Karl Nehammer, ka thënë se agjencitë austriake të inteligjencës duhet të kenë më shumë kompetenca, në mënyrë që të mund t’i vëzhgojnë komunikimet nëpër aplikacionet për mesazhe, dhe ashtu t’i parandalojnë aktet terroriste./rel