Zjarret në Prevallë, policia i vihet në ndihmë zjarrfikësve
Zjarret në bjeshkët e Prevallës po vazhdojnë. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot ka pasur një takim me drejtoreshën e Emergjencave të Komunës së Prizrenit dhe zyrtarë të tjerë për të koordinuar veprimet për shuarje të zjarrit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyçi, ka thënë se policia i është vënë në ndihmë zjarrfikësve dhe shërbimeve emergjente për ta shuar zjarrin. Aksionit i janë bashkuar edhe disa vullnetarë.
“Lidhur me zjarrin në bjeshkët e Prevallës që në orët e mëngjesit, sot me datë 11.08.2024, komandanti i Stacionit Policor të Prizrenit ka pas takim me drejtoreshën e Emergjencave të Komunës së Prizrenit dhe zyrtarë të tjerë dhe së bashku janë koordinuar për veprimet për shuarjen e zjarrit. Policia është vënë në ndihmë të zjarrfikësve dhe shërbimeve emergjente. Bashkë me zjarrfikësit në ndihmë për shuarjen e zjarrit në Prevallë kanë shkuar edhe disa vullnetarë”, ka thënë ai.