Forca e Butë dhe Konsensusi: Rruga për Hapjen e Urës së Ibrit

Forca e Butë dhe Konsensusi: Rruga për Hapjen e Urës së Ibrit

Shkruan: Shenoll Muharremi

 

Iniciativa rreth hapjes së Urës së Ibrit është një zhvillim pozitiv dhe sidomos adreson një fenomen psikologjik rreth ndarjes së Mitrovicës, e ‘Bashkon Mitrovicën” në mendjet tonë kolektive. Por tani nevojitet aplikimi i forcës së butë dhe konsensusit për shkak se kemi një pozicion ngërç rreth veriut dhe hapjes së Urës së Ibrit ku QUINT/NATO dhe qeveria kanë një mos-marrëveshje që duhet zgjidhur fillimisht.

Qeveria e Kosovës ka arritur një përparim të mirë dhe qëndrueshëm rreth shtrirjes së sundimit të ligjit në veri dhe për këtë nuk po merr sa duhet meritat që i takojnë. Kjo e arritur po zbehet me diplomacinë e dobët e cila nuk po arrinë të komunikoj dhe justifikoj lëvizjet e tilla tek aleatët, sidomos tek SHBA dhe BE.

Ky përparim në sundim të ligjit nuk ka ardhur pa një kosto. Serbët lokal, me urdhëra nga Beogradi zyrtar, janë tërhjekur nga institucionet publike të Republikës. Ky nuk është një problem që duhet anashkaluar.

Zgjedhja në mënyrë juridike e kryetarëve komunal shqiptar në komunat e dominuara nga serbët nuk e justifikon mungesën e legjitimitetit. Rrjedhimisht, ky përparim me sundim të ligjit duhet të kurorzohet me integrim të serbëve lokal në institucionet publike të Kosovës. Kjo nuk është punë aq e lehtë dhe qeveria nuk mund të arrijë me polici, e as me forcë. Nevojitet një fuqi e butë për të arritur suksese në këtë aspekt.

Tash, situata është fokusuar tek hapja e Urës së Ibrit. Edhe pse qeveria ka të drejt kushtetuese rreth hapjes se fundja kjo vetëm i bashkon njerëzit, bizneset dhe komunitetet.. QUINT/NATO ka dalur kundër hapjes pa dialog dhe konsensus.

Qeveria ka tentuar të dialogoj me komunitetet dhe ka zhvilluar takime në veri, por kjo nuk do të mjaftoj. Nevojitet një pajtueshmëri me NATO/KFOR (lexo SHBA/BE). Situata tani është në një ngërç dhe nevojitet aplikimi i forcës së butë dhe konsensusit për të arritur përparim të mëtutjeshëm të qëndrueshëm. Kjo do të jetë më sfiduese për qeverinë, se është një operacion më kompleks multimodal që përfshinë të gjithë qeverinë e jo vetëm ministrinë e punëve të brendshme dhe policinë e Kosovës.

Tri makinat e KFOR që aktualisht po qëndrojnë mbi urën ibër kanë peshën e madhe. Me fjalë tjera, janë të pakalueshme. Ato tre makina mund të lëvizin aty vetëm me marrëveshje dhe dialog. Pra, Qeveria e Kosovës mund të i bëjë të gjitha përgatitjet, përfshi lagrimin e ‘barikadave të betonit’ por nuk ka forcë e as mundësi me i lëvizë makinat e KFOR-it.

Në këtë situatë, nevojitet një konsensus. Qeveria nuk duhet të dekurajohet nga ato makina, ato janë vetëm një indikator që duhet ende punë për të bërë, që nënkupton fokus tek (a) diplomacia, (b) dialogimi dhe komunikimi me komunitetet; (c) legjitimiteti i institucioneve dhe drejtuesëve; dhe (d) gadishmëri për arritje të kompromiseve me konsensus.

Prandaj, Qeveria e Kosovës duhet të zgjeroj dhe thellojë, plotësoj, strategjinë e saj rreth veriut. Kjo deri më tani ka qenë vetëm faza e parë, apo krijimi i kushteteve për zbatim të strategjisë. Tashmë nevojitet aplikimi i forcës së butë e kjo nënkupton focus në ekonomi, biznese, investime, tekonologji, infrastrukturë, komunikim e dialogim, mundësi dhe angazhimi të sinqert për mundësi dhe jetë më të mirë për komunitetet atje.

E gjithë kjo kërkon një qasje holistike me programe multi-diciplinare që sjellë prosperitet për të gjithë komunitetet atje. Mesiguri duhet edhe financa, disa miliarda për të investuar, por kjo nuk është problem.

Ndërsa sa i përket hapjes së Urës së Ibrit, një zgjedhje kompromisi me NATO/QUINT, mund të jetë realizimi i Sheshit nga Jugu në Veri i cili mund të quhet “Sheshi Elon Musk”. Elon Musk për shkak se të gjithë duhet të shqiojnë kah e ardhmja dhe të lënë anash dallimet dhe telashet e historisë.

Sheshi Elon Musk gjithashtu për shkak se nevojitet të ndryshohet paradigma. Aty nuk ka ekonomi ende, problemet e politikës dhe sigurisë nuk kanë lejuar të zhvillohet shumë. E tani duhet të investohet dhe fokusohemi tek teknologjia, inovacioni, industria e gjelbërt dhe informacioni… tek Inteligjenca Artificiale.

Ajo zonë ka nevojë të transformohet në një qendër biznesi modern ku edhe themelohen qendra të inovacionit, inkubatorë biznesi, parqe biznesi. Aty të rinjët dhe komunitetet mundet me punu dhe mos me e lodhë shumë kokën për politikë. Nëse njerëzve ju ofrojmë kushte të mira të jetës dhe punë e perspektivë, ata e harrojnë nacionalizmin helmues të Ballkanit.

E për më tepër, ajo zonë ka shumë potencial edhe për sport, muzikë, art, festivale… për politika dhe industri të turizmit dhe zhvillimit rural. Me investime strategjike, këto mund të marrin hov dhe identitet në mënyrë që të krijohet një ekonomi unike lokale dhe rajonale që në qendër ka zhvillimin dhe akcelerimin e bizneseve moderne.

Kjo lloj strategjie nuk arrihet shpejt dhe brenda ‘ditës’ apo muajit. Mesiguri që është dicka më afatmesme dhe afatgjate, por duhet të filloj tash. Kjo është ajo forca e butë që duhet të aplikohet. Të joshen komunitetet përmes mundësive më të mira dhe të krijohet perspektivë e qëndrueshme për ta. Kështu, do të hapen të gjitha urat.

Mbi të gjitha, komunitetet do të kuptojnë dobitë dhe fuqinë e paqës. Do të kuptojnë sesi stabiliteti sjellë prosperitet dhe ardhmëri më të mirë. E kur krijohet dhe zbatohet ky vizion, atëherë askush nga komunitetet nuk do të lejojnë të rrezikohet veriu. Njerëzit do të kenë për çka të mbrojnë paqën dhe stabilitetin.

Shpërndaje në: