E dashura e Faton Hajrizit: Nuk e di çfarë kanë bërë, trupi i tij është totalisht i shkatërruar
“Nuk e di çfarë kanë bërë me trupin e tij, por është totalisht i shkatërruar. E pashë me qefinin e mbuluar”. Kështu është shprehur Liridona Shala, gruaja e Faton Hajrizit, e kontaktuar nga “Euronews Albania”.
E pyetur për gjendjen në të cilën ajo dhe familja e saj gjendet me mbërritjen e trupit te Faton Hajrizit në Kosovë, ajo shtoi se “humbja e tij na ka bërë të humbim edhe shpresat për të jetuar”.
Trupi i pajetë i Hajrizit, i cili u vra në Lloznicë të Serbisë, iu kthye këtë të premte familjarëve të tij.
Ai ishte arratisur nga një burg në Kosovë më 6 korrik dhe u bë i dyshuar për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri në orët e para të 18 korrikut në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.
Ndryshe, avokati i cili është autorizuar që të merret me çështjen e kthimit të trupit të Faton Hajrizit në Kosovë, Arianit Koci ka reaguar ndaj spekulimeve dhe interpretimeve amatoreske se trupi që ka ardhur në Kosovës nuk është i Faton Hajrizit.
Koci përmes një reagimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se nga sot spekulimet duhet të ndalojnë, pasi siç tha “Familja Hajrizi po lëndohet dhe dëmtohet shumë”.