Osmani i bashkohet deklaratës së tri vendeve që bën thirrje për armëpushim në Gaza

Osmani i bashkohet deklaratës së tri vendeve që bën thirrje për armëpushim në Gaza

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është bashkuar deklaratës së presidentit amerikan, Joe Biden, presidentit të Egjiptit, Abdel Fattah El-Sisi, dhe emirit të Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, të cilët kanë bërë thirrje për rifillimin e bisedimeve për armëpushim në Gaza.

“Vuajtja e njerëzve të pafajshëm duhet të ndalet” – thuhet në një postim në llogarinë e Presidencës së Kosovës në rrjetin X, ku është bashkëngjitur vegëza e deklaratës së përbashkët të tre krerëve të shteteve.

Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari me muaj janë duke ndërmjetësuar në përpjekjet për arritjen e një armëpushimi në Gaza, por deri më tani pa sukses, me përjashtim të një ndërprerjeje të shkurtër të luftimeve në fund të vitit të kaluar.

Izraeli ka thënë se negociatorët e tij do t’i përgjigjen thirrjes për negociata javën e ardhshme.

Në deklaratën e tre krerëve të vendeve ndërmjetësuese thuhet se ato kishin hartuar një “marrëveshje kornizë” që “i kanë mbetur për t’ia përfunduar vetëm hollësitë e zbatimit”.

Shpërndaje në: