Kthimi i trupit të Faton Hajrizit rreth 1 muaj pasi u vra, ekspertiza nga IML pritet të bëhet javën e ardhshme

Kthimi i trupit të Faton Hajrizit rreth 1 muaj pasi u vra, ekspertiza nga IML pritet të bëhet javën e ardhshme

Trupi i pajetë i Faton Hajrizit është sjellë në Kosovë në orët e para të së premtes. Vetura me të cilën po transportohej trupi arriti në Merdar rreth orës 02:00.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës bëri të ditur se “pas mbërritjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës po kryejnë procedurat e mëtejshme mjeko-ligjore për identifikimin dhe verifikimin e tij.”

Sipas informacioneve të para, ekspertiza e trupit të Hajrizit pritet të bëhet tek javën e ardhshme, derisa Instituti i Mjekësisë Ligjore ta marrë raportin e autopsisë nga Serbia.

Një ditë më herët, MPJD-ja njoftoi se Prokuroria e Qarkut të Beogradit kishte dhënë leje për tërheqjen e trupit të pajetë të Hajrizit.

Hajrizi u vra nga autoritetet e Serbisë më 19 korrik.

Ai ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik dhe dyshohet për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri në orët e para të 18 korrikut në Lloznicë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi në korrik se dorasi i dyshuar i policit u vra në vendin e quajtur Banja Kovilaça, pasi autoritetet serbe kishin qenë në kërkim të tij që nga vrasja e policit.

Serbia ka kërkuar që Gjermania të ekstradojë vëllain e Fatonit, Artanin, pasi në vendin e ngjarjes, u gjetën dokumente në emër të tij.

 

Shpërndaje në: