Nënkryetarja e PDK-së: Dera e vetme e hapur për Kurtin ka mbet Maqedonia e Veriut
Mimoza Ahmetaj, nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se reagimet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj veprimeve të Qeverisë së Kosovës në veri , përfshirë edhe testimet për hapjen e urës së Ibrit nuk janë befasi.
Ahmetaj ka thënë se Kosova tash e një vit po përballet me një situatë të tillë për shkak siç ka thënë ajo veprimeve të pakoordinuara e populliste të Kurtit.
Ahmetaj ka thënë se Kosova aktualisht është në pikën zero të raporteve me aleatët dhe se e vemja derë e hapur për Kurtin ka mbet Maqedonia Veriore.
“Kosova është në pikën më të ulët ndonjëherë, ne nuk kemi raport fare me shtete të caktuara, të gjitha marrëdhëniet bilaterale që e i kemi pas janë në pikën zero. Për më tepër e pamë që e vetmja derë që i hapet Kurtit është Maqedonia Veriore dhe mund ta paramendoni se në çfarë situate është Maqedonia Veriore dhe kush e udhëheqë, një qeveri e cila është shumë anti- pavarësisë së Kosovë dhe një qeveri e cila është në linjë me qeverinë serbe dhe veprimet e tyre”, ka thënë Ahmetaj në tëvë1.
Ajo ka thënë se Kurti duke u munduar të shtrijë sovranitetin në veri, po e cenon integritetit territorial të tërësisë së Kosovës.
“Duke u munduar që ta kthejë sovranitetin në veri, ai është duke e cenuar integritetin territorial të tërësisë së Kosovës. Një situatë të cilën Kosova fare nuk e meriton. Një politikan me mend pak, do të mendonte që secilin veprim që e merr ta harmonizojë dhe të jetë në linjë të njëjtë me partneret e Kosovës të cilët na kanë ndihmuar për dekada të tëra”, tha Ahmeti.
Duke folur për testimin e urës së Ibrit që u bë të enjten me kamionë, nënkryetarja e PDK-së ka thënë se janë veprime populliste e për fushatë elektorale.
Aksioni i mbylljes së nëndegëve të postës serbe në veri të Kosovës ka ngjallur reagimin e BE-së e ShBA-së të cilat janë shprehur të zhgënjyera, duke thënë se ishte veprim i pakoordinuar.
BE e ShBA kanë dal edhe kundër hapjes së urës së Ibrit.
Por, për mbylljen e nëndegëve të postës serbe, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se veprimet ilegale nuk do të tolerohen në Kosovë, madje sipas tij këtë do duhej ta përkrahet edhe BE.
Ndërsa, zyrtarë të qeverisë kanë këmbëngulur se ura Ibrit do të hapet, por siç kanë thënë ata do të shikohet momenti i duhur.