Behgjet Pacolli për hapjen e Urës së Ibrit: Fushata para-elektorale e Qeverisë, manovër populiste e Kurtit
Komuniteti ndërkombëtar po kundërshton hapjen e urës mbi lumin Ibër. Mejithathë, këtë kërkesë të ndërkombëtarëve nuk po e përfill Qeveria Kurti. E, si pasojë e kësaj, u paralajmëruan sot edhe shtimin e masave të reja ndëshkuese ndaj shtetit tonë, shkruan Periskopi.
“Në vend të hapave që do të çonin në uljen e tensioneve, janë ndërmarrë shumë e më shumë hapa dhe vendime të njëanshme që çojnë drejt përshkallëzimit. Atëbotë thamë që masat janë progresive, ato mund të ashpërsohen apo lehtësohen varësisht nga zhvillimi i situatës. Kjo pjesë prek pjesën e parë të pyetjes, se çfarë do të bëjmë [pas vendimeve të fundit të autoriteteve në Kosovë]. Pra, kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të ashpërsohen nëse për një gjë të tillë pajtohen të gjithë akterët e BE-së”, tha Stano.
Këto veprime të pakoordinuara të Kurtit, lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli po i konsideron si fushatë para-elektorale të Qeverisë.
Ai në një intervistë për Periskopin ka thënë se është një manovër populliste e Kurtit, sesa një vendim strategjikisht i mençur.
“Fushata para-elektorale e Qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit, pavarësisht kundërshtimit nga SHBA dhe BE, duket të jetë një manovër populiste sesa një vendim strategjikisht i mençur. Ky veprim duket se është i nxitur më shumë nga dëshira për të treguar një qëndrim të fortë dhe për të apeluar ndaj ndjenjave nacionaliste, sesa për të adresuar çështjet aktuale të qeverisjes apo për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Duke marrë parasysh që ura është tashmë e hapur për njerëzit dhe ekzistojnë ura të tjera të disponueshme, ky veprim mungon në domosdoshmëri praktike dhe në vend të kësaj, thekson mungesën e arritjeve të rëndësishme politike të qeverisë”, tha Pacolli.
Pacolli për Periskopin ka thënë se nuk është momenti i duhur që të hapet Ura e Ibrit.
Sipas tij, këto veprime të pakoordinuara rrezikojnë izolimin e Kosovës në skenën globale.
“Jo, nuk është momenti i duhur. Në një periudhë ku bashkëpunimi ndërkombëtar dhe koordinimi me aleatët kryesorë si SHBA dhe BE janë jetësore, veprime të tilla të pakoordinuara rrezikojnë izolimin e Kosovës në skenën globale. Koha e këtij veprimi, në mes të sfidave të mëdha politike dhe ekonomike, sugjeron një taktikë shmangëse më shumë sesa një iniciativë politike të vërtetë të synuar për të përmirësuar qeverisjen ose kohezionin kombëtar”, deklaroi ish ministri.
Pacolli në një intervistë për Periskopin deklaroi se paralajmërimet e BE-së për ashpërsim të masave duhet të merret seriozisht.
“Paralajmërimi i BE-së për masa të reja kundër Kosovës nënvizon seriozitetin e situatës. Pasojat potenciale të vazhdimit të këtyre veprimeve të pakoordinuara mund të jenë të dëmshme për aspiratat e Kosovës për integrim evropian dhe mbështetje më të gjerë ndërkombëtare. Ky paralajmërim duhet të merret seriozisht, pasi reflekton zhgënjimin dhe shqetësimin në rritje midis partnerëve kryesorë të Kosovës për drejtimin që po merr qeveria”, potencoi ai.
Sipas, Pacolli përpjekja për konfrontim me aleatët ka për qëllim distancimin e Kosovës nga aleanca perëndimore.
“Kosova dhe shumica e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera do të shohin përfitimet e vërteta të hapjes së urës vetëm nëse bëhet në koordinim me NATO-n dhe Perëndimin. Një koordinim i tillë siguron që lëvizja të jetë në përputhje me përpjekjet më të gjera të sigurisë dhe diplomacisë, duke forcuar kështu pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Të gjithë ata që shtyjnë për konfrontim kanë për qëllim distancimin e Kosovës nga baza e saj natyrale—aleanca perëndimore. Është thelbësore të pranohet se sot, të vetmet vende në konfrontim me Perëndimin dhe NATO-n janë Rusia, Bjellorusia dhe Irani. Kosova nuk ka vend në këtë bosht të konfrontimit”, ka thënë ai për Periskopin.
Për këtë, Pacolli fajëson Qeverinën Kurti, i cili thotë se po rrezikon dëme afatgjata për marrëdhëniet e Kosovës me Perëndimin dhe NATO-n.
“Kalimi i qeverisë drejt një fushate ultra-populiste jo vetëm që dëmton besueshmërinë e saj, por gjithashtu rrezikon dëme afatgjata për marrëdhëniet e Kosovës me Perëndimin dhe NATO-n. Në vend që të nxisë konfrontim, qeveria duhet të përqendrohet në ndërtimin e dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit me aleatët e saj ndërkombëtarë, duke i dhënë përparësi reformave të mirëfillta të qeverisjes dhe adresimit të nevojave reale të qytetarëve të saj”, u shpreh Pacolli pas zhvillimeve te fundit.
Edhe, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e siç ka thënë ai propagandës paraelektorale të pushtetit për Urën e Ibrit.
Ai ka sqaruar se për LDK-në, ura duhet të hapet, por kjo duhet të bëhet së bashku me aleatët, sidomos NATO-n e ShBA-të.
Shtetet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia, më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ky mision ka përsëritur se nuk do të ngurrojë të ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal./Periskopi