Hapja e urës së Ibrit: Testimi, arrestimet, protesta e reagimet e BE’së dhe ShBA’së – krejt çfarë ndodhi sot
Përgatitjet për hapjen e urës së lumit Ibër, kanë vazhduar edhe sot. Kamionë me pesha të rënda kanë kaluar sot mbi këtë urë për të testuar qëndrueshmërinë e saj. Për këtë çështje, sot është mbajtur një debat publik. Para nisjes, Policia ka arrestuar dy politikanë serbë. Është mbajtur edhe një protestë. Ndërkombëtarët tash e disa ditë kanë dalë me reagime, ku bëjnë të qartë se nuk e mbështesin planin e Qeverisë. Bashkimi Evropian ka paralajmëruar masa shtesë, nëse situata nuk ndryshon. Ambasada e ShBA’së i ka bërë jehonë deklaratës së zëdhënësit të DASH, i cili tha se janë të shqetësuar nga “vazhdimi i vendimeve të pakoordinuara nga lidershipi i Kosovës”.
Qeveria e Kosovës ka vazhduar edhe sot me planin për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e veturave, pavarësisht kundërshtimit të ndërkombëtarëve.
Mbi urë sot janë parë kamionë të kompanisë “Bageri”, e cila është në pronësi të dostit të zëvendësministrit Hysen Durmishi, që është kontraktuar nga Qeveria për testimin e qëndrueshmërisë së urës.
Durmishi tha se raporti final se a është stabile apo jo ura, do të jetë gati brenda dy-tri ditëve. Ai deklaroi se nëse nga raporti del që ura nuk është stabile do të vazhdojnë me veprimet e tjera.
“Siç po e shihni sot jemi duke i bërë testimet për stabilitetin e urës mbi urën Ibër. Kemi filluar para dy dite… Gjatë ditës do të përfundoj ky si proces në mënyrë që brenda dy tri dite të kemi raportin final se a është stabile apo jo ura. Se kur do të hapet ura nuk e di por e di që ura do të hapet se nuk ka arsye që të jetë e mbyllur. Këto janë testimet e fundit…. në bazë të asaj që unë di dhe përvojës si inxhinier kjo është ura më stabile… nëse raporti thotë që nuk është stabile do të vazhdojmë me veprimet e tjera”, ka thënë Durmishi.
Për çështjen e hapjes së urës, sot është mbajtur një debat publik nën organizimin e Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut. Pjesëmarrja ishte e vogël.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili ishte i pranishëm në këtë debat, tha se është absurde që Ura e Ibrit të mbahet e mbyllur.
“Është absurde që ura të vazhdojë të jetë e mbyllur. Jemi të sigurt se liria e lëvizjes do të jetë më e lehtë”, theksoi ai.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, deklaroi se sa i përket aspektit të sigurisë, nuk ka arsye që ura të mbetet e mbyllur.
“E pyesim vetën si Polici e Kosovës pse kjo urë është mbyllur, do të ishte mirë nga ju me ndëgju se pse kjo urë duhet të mbetet e mbyllur, sepse nga aspekti i sigurisë s’ka arsye”, tha Elshani.
Kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së djeshme ftoi qytetarët e komunitetit serb, që përbëjnë shumicën e popullsisë në pjesën veriore të Kosovës, të marrin pjesë në këtë ngjarje. Kurti tha se ata “do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës” mbi lumin Ibër, ka deklaruar se “urat na bashkojnë” dhe rrjedhimisht, ura kryesore në Mitrovicë duhet të jetë simbol i normalizimit.
Para fillimit të debatit, Policia e Kosovës arrestoi dy politikanët serbë nga partia Demokracia Serbe, Alleksandar Arsenijeviq dhe Stefan Vellkoviq, për pengim të zyrtarëve që po lyenin murin afër urës kryesore mbi Ibër.
“Për shkak të pengimit të zyrtarëve, ata u shoqëruan pasi nuk i dëgjuan urdhrat e policisë kur u tha që të mos iu afroheshin”, konfirmoi Elshani.
Arrestimi i tyre shtyri serbët e punësuar në institucionet publike serbe në Mitrovicë të Veriut që të protestonin para Stacionit të Policisë në Mitrovicë të Veriut.
Ata u shpërndanë vetëm pas lirimit të dy politikanëve serbë.
Për këtë rast, Policia doli më vonë me një njoftim zyrtar, ku tha se të njëjtit kanë filluar të pengojnë punëtorët të cilët ishin të kontraktuar dhe të angazhuar për të pastruar disa grafite me mbishkrime nacionaliste, të cilat ishin në shesh afër urës.
“ Personat në fjalë janë paralajmëruar disa herë që të mos pengojnë punën dhe të largohen, mirëpo të njëjtit kanë vazhduar duke penguar dhe duke mos lejuar realizimin e punimeve, si dhe kanë provokuar dhe kanë nxitur tensione. Njësitet policore relevante, me qëllim të qetësimit të situatës dhe krijimit të mundësive për punë, janë detyruar të veprojnë dhe kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim dy persona. Personat e shoqëruar në stacion policor, pas intervistimit janë liruar”, deklaroi Policia.
Lidhur me zhvillimet e fundit, mbylljes së degëve të Postës së Serbisë në veri dhe synimit të Qeverisë për hapjen e urës së Ibrit, Bashkimi Evropian ka reaguar sërish.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, paralajmëroi edhe ashpërsim të masave.
“Në vend të hapave që do të çonin në uljen e tensioneve, janë ndërmarrë shumë e më shumë hapa dhe vendime të njëanshme që çojnë drejt përshkallëzimit. Atëbotë thamë që masat janë progresive, ato mund të ashpërsohen apo lehtësohen varësisht nga zhvillimi i situatës. Kjo pjesë prek pjesën e parë të pyetjes, se çfarë do të bëjmë [pas vendimeve të fundit të autoriteteve në Kosovë]. Pra, kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të ashpërsohen nëse për një gjë të tillë pajtohen të gjithë akterët e BE-së”, tha Stano.
Stano tha se blloku evropian ai ka përcjell qëndrimin Qeverisë së Kosovës në shumë mënyra dhe nuk është vetëm BE-ja që po kundërshton vendimet e fundit të autoriteteve kosovare.
“Praktikisht të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës po i thonë administratës në Prishtinë të mos angazhohet në këtë seri hapash të pakoordinuar, të njëshëm dhe negativë. Shpresoj që ata më në fund do të dëgjojnë mesazhin tonë dhe të na ndalojnë që të shqyrtojmë se çfarë lloje masash ne do të vendosnim në përgjigje [ndaj Kosovës] nëse situata nuk ndryshon”, deklaroi Stano.
Ndërkohë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka shpërndarë deklaratën e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Mattheë Miller i cili tha se janë të shqetësuar me veprimet e fundit “të pakoordinuara” të lidershipit të Kosovës.
Në citatin e publikuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë, thuhet se ShBA-ja inkurajon Qeverinë e Kosovës që të kthehet në angazhimin e ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe partnerët e tjerë të ngushtë.
“Jemi të shqetësuar nga vazhdimi i vendimeve të pakoordinuara nga lidershipi i Kosovës. Ne besojmë se ata i vënë në rrezik mundësitë që ne e kemi ndihmuar Kosovën t’i krijojë. Nëse shikoni historinë që nga pavarësia e Kosovës, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur fuqishëm integrimin e tyre të plotë në bashkësinë ndërkombëtare si një demokraci sovrane multietnike, por për të realizuar këtë vizion, që është një vizion që ne ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me liderët e njëpasnjëshëm politikë të Kosovës për masat që rrisin paqen dhe prosperitetin në vend, duke avancuar Kosovën në këtë rrugë euroatlantike për të cilën ju keni rënë dakord”.
“Dhe kështu ajo që ne do të inkurajonim Qeverinë e Kosovës që të kthehet në angazhimin e ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara, me BE-në, me NATO-n dhe partnerët e tjerë të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës. Dhe ne ia kemi bërë të qartë – siç po e bëj të qartë publikisht, ne ia kemi bërë të qartë këtë privatisht edhe qeverisë”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të DASH.